Kinë: Përleshje mes punonjësve dhe policisë në fabrikën Foxconn

Një fabrikë në provincën Taiyan të Kinës veriore e cila është në pronësinë e kompanisë Apple që prodhon Iphonin, rifilloi punën pas trazirave ku u përfshinë rreth 2 mijë punonjës, duke nxjerr në pah tensionet e vazhdueshme të punëtorëve në një vend i cili ndalon sindikatat e pavarura.

Fabrika Foxconn në Kinë, prodhon Iphone 5, një model që doli në treg për herë të parë javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vedne të tjera. Por kompania nuk ka deklaruar deri tani nëse pezullimi i punës për një ditë ka ndikuar në furnizimet me këtë produkt të ri.

Përfaqësues të fabrikës Foxconn dhe policia thanë se shkaku i trazirave që shpërthyen të dielën në mbrëmje ishte nën hetim, por kjo protesë vjen në vazhdën e protestave të dhunshme të punëtorëve në zona të ndryshme të Kinës , të cilat kanë si shkak ankesat për pagat dhe kushtet e punës.

Sipas njoftimeve dhe dëshmitarëve thuhet se dhuna - e cila pezulloi prodhimin për një ditë - shpërtheu mbas një konflikti mes një punëtori dhe një rojeje të fabrikës, konflikt i cili u përshkallëzua me shpejtësi.

Policia dhe përfaqësues të fabrikës Foxconn thonë se 40 njerëz janë plagosur si pasojë e trazirave.

Xhirimet dhe fotografitë e marra nga një dëshmitar që nuk do të identifikohet tregojnë punëtorët e grumbulluar pranë fabrikës Foxconn dhe një prani të madhe policore, si dhe një prej dyerve të kompleksit të shkatërruar. Fotografitë e djeshme tregojnë dritaret e thyera të dyqaneve pranë zonës.

Cheng Yi Yi është drejtuese projektesh në Hong Kong, në organizatën e quajtur Studentë e Profesorë kundër sjelljeve të Këqia të Korporatave. Kjo organizatë vëzhgon shoqëritë tregëtare dhe ka si piksynim përmirësimin e të drejtave të punonjësve :

“ Fabrika Foxconn përdor një stil ushtarak në marrëdhënie me punëtorët. Për shembull, përdoret një dhunë e tillë ndaj punëtorëve për t’i detyruar ata që të jenë krejtësisht të bindur ndaj urdhrave të administratës së fabrikës. Ne i kemi rekomanduar kësaj fabrike që të mbajë zgjedhje të drejta për sindikatat e punonjësve sipas ligjeve kineze, në mënyrë që punëtorët të kenë një mundësi për të shprehur opinionet, apo mendimet e tyre për administratën e fabrikës”.

Shumë fabrika në Kinë kanë sindikata, por ato duhet të jenë pjesë e Federatës së Sindikatave të Kinës, që është qeveritare.
Punonjësit ankohen se drejtuesit lokalë të sindikatës shpeshherë janë aleatë me administratën e fabrikave dhe nuk mbrojnë punonjësit.

Fabrika Foxconn është përballur me ankesat e punonjësve për pagat dhe orët e punës. Kompania rriti pagën minimale dhe premtoi në muajin mars të kufizojë orët e punës mbas një kontrolli që iu bë nga kompania Apple, ku u gjet se punonjësve u kërkohej rregullisht që të punonin më shumë se 60 orë në javë. Në fabrikat Foxconn në Kinë janë të punësuar rreth 1.2 milion punonjës në disa qytete të vendit.