Francë, sulm me thikë në Nisë, vriten tre veta

French President Emmanuel Macron, second right, Nice mayor Christian Estrosi, right, French Interior Minister Gerald Darmanin, second left, and Justice Minister Eric Dupond-Moretti arrive at Notre Dame church in Nice

Një njeri i armatosur me thikë vrau tre persona në një kishë të enjten në qytetin francez të Nisës.

Rreth orës 9 të mëngjesit, njeriu me thikë hyri në kishën Notre Dame të qytetit dhe i preu fytin kujdestarit të kishës, i preu kokën pjesërisht një gruaje të moshuar dhe plagosi rëndë një grua të tretë, sipas një burimi të policisë.

Kujdestari i kishës dhe gruaja e moshuar vdiqën në vend, ndërsa gruaja e tretë mundi të dilte nga kisha dhe të shkonte në një kafene aty pranë, por edhe ajo vdiq nga plagët.

President francez Emmanuel Macron, komentoi me tone sfiduese. Ai tha se Franca ishte bërë objekt i një sulmi terrorist islamik dhe shtoi se do të urdhëronte dërgimin e mijëra ushtarëve të tjerë për të mbrojtur objektet e rëndësishme, të tilla si vendet e adhurimit dhe shkollat.

Duke folur nga vendi i ngjarjes, ai tha se Franca ishte sulmuar për "vlerat tona, për lirinë që gëzojmë, për aftësinë tonë për të patur liri të besimit në tokën tonë."

"Dhe unë e them me shumë qartësi përsëri sot: ne nuk do të lëshojmë terren".

Kryetari i bashkisë, Christian Estrosi, e cilësoi si një sulm terrorist ngjarjen, e treta e këtij lloji në Francë brenda dy muajve.

"Ai vazhdonte të përsëriste fjalët Allahu Akbar '(Zoti është i Madh) edhe kur ishte nën ndikimin e ilaçeve" pas plagosjes gjatë arrestimit nga policia” tha kryebashkiaku.

Tunizia ka hapur hetim rreth personit të dyshuar në Nisë, i cili raportohet të jetë tunizian, tha Mohsen Dali, zyrtar në një gjykatë të specializuar tuniziane kundër ekstremizmit.

Prokurorët francezë kundër terrorizmit kanë ndërmarrë gjithashtu një hetim mbi vrasjet, të cilat vijnë pas prerjes së kokës të mësuesit Samuel Pati në fillim të këtij muaji. Autori i atij sulmi, me origjinë çeçene, tha se donte ta ndëshkonte mësuesin sepse u tregoi nxënësve karikaturat e Profetit Muhamet gjatë një ore mësimi për edukimin qytetar.

Nuk është e qartë nëse vrasjet e së enjtes ishin të lidhura me karikaturat, të cilat konsiderohen fyerje nga myslimanët.

Që nga vrasja e mësuesit Samuel Pati, zyrtarët francezë, me mbështetje të gjerë nga publiku, kanë ripohuar të drejtën e tyre për të shfaqur karikaturat, shumë prej të cilave janë shfaqur gjerësisht gjatë marshimeve në solidaritet me mësuesin.

Shfaqja publike e imazheve ka shkaktuar një zemërim të thellë në botën myslimane dhe disa qeveri kanë akuzuar Presidentin Emmanuel Macron për ndjekjen e një axhende kundër fesë islame.

Lexoni edhe këtë Frikë, revoltim pas vrasjes së mësuesit në Francë

Nisa ishte shënjestër e një prej sulmeve më vdekjeprurëse në Francë vitet e fundit. Një tunizian 31-vjeçar drejtoi një kamion mbi turmën që ishte duke kremtuar Ditën e Bastijës më 14 korrik të vitit 2016, duke vrarë 86 veta.