Presidenti francez Nikola Sarkozi u takua me aleatët e tij të ngushtë, pasi Partia Socialiste dhe aleatët e krahut të majtë morën kontrollin e senatit për herë të parë në historinë moderne të Francës.
Zoti Sarkozi thirri sot në Pallatin Elize kryeministrin Francois Fillon dhe kreun e partisë konservatore UMP Jean-Francois Cope.
Partia socialiste tani kontrollon 177 vende në senat, dy më shumë sesa shumica absolute e nevojshme. Fitorja e partisë ndaj konservatorëve shënohet vetëm shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale, duke e lënë zotin Sarkozi pa një shumicë në Dhomën e Lartë ndërsa ai përgatitet të njoftojë planet për t’u rizgjedhur. Konservatorët vazhdojnë të kenë shumicën në Asamblenë Kombëtare.
Megjithëse votimi për senatin nuk kanë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e prillit të ardhshëm, humbja sinjalizon pakënaqësinë e votuesve me zotin Sarkozi dhe partinë e tij konservatore. Zoti Sarkozi ka të ngjarë të përballet me socialistin Francois Hollande në zgjedhjet presidenciale.