Presidenti Barak Obama premtoi të përfundojë brenda këtij viti një marrëveshje të re tregtie mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Paqësorit, edhe pse mbeten pengesa në krijimin e një pakti mes 12 shteteve anëtare.
Udhëheqësi amerikan u takua të enjten me kryeministrin japonez Shinzo Abe në takimin e G20-s në Shën Peterburg, Rusi.
Ndërkohë që pjesa dërmuese e lajmeve kryesore nga takimi flasin mbi përpjeket e Uashingtonit për të fituar përkrahje për veprime ushtarake ndaj Sirisë, udhëheqësit në takim po ashtu po disktutojnë rreth shqetësimeve ekonomike.
Zoti Obama tha gjatë takimit me zotin Abe se partneriteti i Trans-Paqësorit do të hapë tregjet në rajonin që po zhvillohet me shpejtësi. Kjo do të jetë marrëveshja më e madhe tregtare në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Takimi dy-ditor i G-20s në Shën Peterburg pritet të përqëndrohet edhe te vendet e punës dhe rritja ekonomike globale, për të ndihmuar ekonomitë të rezistojnë ndërkohë që Shtetet e Bashkuara rrisin normat e interesit. Forcimi i politikave monetare amerikane kërcënon të çojë në rënien e tregjeve të aksioneve dhe në dobësimin e ekonomive të vendeve si Brazili, India, Indonezia, Turqia dhe Afrika e Jugut.
Udhëheqësit e disa prej këtyre vendeve duan që Shtetet e Bashkuara të bashkërendojnë me vendet e tjera kur të rishikojnë politikat financiare.
Një tjetër çështje në tryezë është rregullimi i institucioneve financiare jo-bankare që operojnë në tregjet monetare.
Ndërkohë, disa aktivistë kanë vënë në shënjestër Rusinë, të cilën e kritikojnë për ligjin mbi homoseksualët si dhe për çështjen e mosmarrëveshjes me Shtetet e Bashkuara lidhur me birësimin e fëmijëve rusë nga amerikanët.
Takimi dy-ditor i G-20s në Shën Peterburg do të përqëndrohet edhe te vendet e punës dhe rritja ekonomike globale