Shërbimi diplomatik shqiptar mes politizimit dhe profesionalizmit

Parlamenti shqiptar rrëzoi sot me 73 vota të shumicës dekretin e Presidentit të Republikës, i cili ktheu për rishqyrtim projekt-ligjin për shërbimin diplomatik, pas disa vërejtjeve, që lidheshin me procedurat e zgjedhjes së ambasadorëve.

Your browser doesn’t support HTML5

Ligji për shërbimet diplomatike

Gjatë gjithë ditës së sotme, parlamenti diskutoi vërejtjet e presidentit mbi shkaqet që e ktheu ligjin në parlament për ta diskutuar nga deputetët, si edhe shumë nene të tjera të tij.

Kthimi i ligjit për shërbimin diplomatik në parlament ishte një mundësi tjetër për opozitën që ta rishqyrtonte, pasi për shkak të bojkotit, nuk mori pjesë kur ai u miratua nga shumica e majtë.

Pika kryesore e debateve mbeti heqja apo jo e një kuote prej 20 për qind për të emëruar ambasadorë jashtë shërbimit diplomatik.

Për opozitën heqja e kësaj kuote do ta politizojë gjithë shërbimin diplomatik.

Por përfaqësues të shumicës së majtë pohuan se mbajtja e kësaj kuote ishte abuzive dhe shkelte rregullat profesionale të shërbimit diplomatik. Ligji i ri, sipas tyre, sjell një listë kriteresh për diplomatët dhe ambasadorët.

Pas 12 vjet karrierë në shërbim diplomatik punonjësit mund të emërohen këshilltarë, dhe pasi të marrin titullin këshilltarë, mund të zgjidhen ambasadorë.

Duke rrëzuar dekretin e presidentit të republikës, shumica e rivotoi ligjin për shërbimin diplomatik, duke shpjeguar se ligji nuk cënon kushtetutën dhe as kompetencat e presidentit në emërimin e ambasadorëve.

Sipas ligjit të ri, ambasadorët propozohen nga qeveria, emërohen nga presidenti, pasi komisioni parlamentar i politikës së jashtme zhvillon me ta seanca dëgjimore mbi pikëpamjet dhe cilësitë e tyre.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 50 për qind e diplomatëve shqiptarë kanë hyrë në punë pa ndonjë konkurs.