Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg i nënshtrohet operacionit

Gjykata e Lartë njoftoi se gjykatësja Ruth Bader Ginsburg kishte kryer një operacion për të hequr dy masa tumorale malinje nga mushkëria e saj e majtë.

Kjo është hera e tretë që gjykatësja Ginsburg përballet me kancerin që nga koha kur ajo u bë anëtare e gjykatës në vitin 1993.

Në njoftim thuhej se gjykatësja 85 vjeçare e kishte kryer operacionin të premten në Nju Jork dhe se pritet të qëndrojë në spital për disa ditë.

Gjykata tha se mjekët nuk kanë gjetur "ndonjë provë që sëmundja të jetë përhapur në ndonjë pjesë tjetër të trupit" dhe se nuk është planifikuar aktualisht të zhvillohet ndonjë trajtim shtesë ndaj zonjës Ginsburg.

Masat tumorale u gjetën gjatë kryerjes së analizave pasi gjyqëtarja theu një nga brinjët gjatë një aksidenti më 7 nëntor.

Zonja Ginsburg po trajtohet në qendrën për kancerit “Memorial Sloan Kettering” në Nju Jork.