Gjukanoviç merr detyrën si president i Malit të Zi

  • Ali Salaj

Presidenti i ri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç bëri sot betimin para deputetëve të Kuvendit dhe mori detyrën në këtë post.

Zoti Gjukanoviç e bëri betimin në Cetinë, në ditën kur paraardhësit të tij Filip Vujanoviç i skadon mandati.

Si President i shtetit, unë do ti përkushtohem ruajtjes së pavarësinë dhe sovranitetit të Malit të Zi dhe afirmimin e tij si një shtet civil, demokratik, ekologjik dhe shtet i të drejtave sociale bazuar në sundimin e ligjit”, tha zoti Gjukanoviç.

Përveç deputetëve, në seancën ceremoniale në Shtëpinë e Qeverisë në Cetinë morën pjesë ish-presidentët, zyrtarët më të lartë të parlamentit, qeverisë, dhe institucioneve.

Në seancë morën pjesë krahas anëtarëve të qeverisë, edhe personalitete fetare, rektorë universitarë, anëtarë të trupit diplomatik, ambasadorë jo-rezidentë, përfaqësues ushtarakë të mbrojtjes dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 15 prill, zoti Gjukanoviç fitoi 53.9 për qind të votave. Zotin Gjukanoviç e mbështetën edhe partitë politike të pakicave, të cilët ia mundësuan fitoren që në raundin e parë të zgjedhjeve. Ai do ta ushtrojë këtë funksion për 5 vite.

Presidenti i Malit të Zi përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë vendit, nxjerr ligje, shpall zgjedhjet parlamentare, i propozon parlamentit kandidatët për kryeministër, si dhe kryetarin dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i propozon parlamentit që të shpallë referendum, të miratojë amnisti për vepra penale, ndarjen e medaljeve dhe çmimeve, si dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara me kushtetutë.

Që nga vendosja e sistemit shumëpartiak, presidentë të Malit të Zi kanë qenë Momir Bulatoviç, me dy mandate, zoti Gjukanoviç për një mandat, dhe Filip Vujanoviç me tre mandate.