Guvernatori kërkon trajtim të barabartë të qytetarëve amerikanë të Porto Rikos

Në një takim të zgjeruar në Zyrën Ovale, guvernatori i Porto Rikos i kërkoi Presidentit Donald Trump trajtim të barabartë për ishullin e shkatërruar nga uragani, duke i kujtuar që portorikanët kanë shtetas amerikanë.

“Jepini qytetarëve amerikanë të Porto Rikos burimet e duhura, na trajtoni njëlloj si qytetarët e Teksasit, Floridës dhe shteteve të tjera dhe ne do të jemi më të fortë kur e gjitha kjo të ketë mbaruar”, tha guvernatori Ricardo Rossello.

Zoti Trump përsëri mbrojti përgjigjen e qeverisë federale ndaj shkatërrimit nga uragani Maria.

Presidenti i dha notën 10 përgjigjes së qeverisë amerikane në Porto Riko, në një shkallë nga 1 në 10.

“Ne kemi dhënë një ndihmë të madhe, me shumë shpejtësi”, tha ai.

Guvernatori i territorit amerikan, nuk pranoi të jepte një vlerësim për masat, por tha se “ne jemi mirënjohës ndaj presidentit për mbështetjen e peticioneve në Kongres” dhe për premtimin se “asnjë qytetar amerikan nuk do të neglizhohej”.

Në një moment, ndërsa disa gazetarë ishin ende në Dhomën Ovale, zoti Trump e pyeti guvernatorin Rossello: “A nuk bëmë një punë të mrekullueshme?”

Guvernatori u përgjigj: “Ju u përgjigjët menjëherë”.

Më pak se 20 për qind të banorëve të ishullit kanë energji elektrike dhe 35 për qind janë ende pa ujë të pijshëm.