Gazet e dëmshme arrijnë nivel rekord

Agjencia e OKB-së për motin thotë se përqëndrimet atmosferike të tre gazeve kryesore që shkaktojnë ngrohjen globale u rritën në nivele rekord në vitin 2012.

Organizata Meterologjike Botërore tha sot se përqëndrimi i dioksidit të karbonit, metanit dhe oksidit nitrik arritën rekorde të reja. Kljo mund të bëjë të pamundur realizimin e objektivit të OKB-së për të mos lejuar ngrohjen globale me më shumë se dy gradë Celsius që nga nivelet para-industriale.

Lajmi vjen para takimit të Varshavës mbi traktatin e klimës të më shumë se 190 vendeve, që do të mblidhen për të diskutuar një marrëveshje të detyrueshme globale deri në vitin 2015 për pakësimin e gazeve që shkaktojnë efektin sere.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Meterologjike Botërore Michel Jarraud tha në një deklaratë sot se nëse kushtet nuk ndryshojnë, ngrohja globale mund t’i ngrejë temperaturat deri në 4.6 gradë Celsius deri në vitin 2100.