Greva e ish të përndjekurve në ditën e 16

Në Tiranë, greva e urisë e një grupi ish të përndjekurish politik të diktaturës komuniste hyri sot në ditën e 16. Grevistët thonë se ende nuk kanë takuar ndonjë zyrtar. Shoqata antikomuniste e kanë përkrahur grevën me tubime të shpeshta pranë saj. Federata Vatra i kërkoi qeverisë që të bisedojë me grevistët dhe të mos mbulojë me indiferencë ish të dënuarit e diktaturës komuniste.

Your browser doesn’t support HTML5

Greva e urisë e ish të përndjekurve

Një grup shoqatash të ish- të dënuarve politikë nga diktatura komuniste zhvilluan sot një tubim proteste pranë grevës së urisë së 11 ish të përndjekurve politikë. Greva hyri sot në ditën e 16 dhe grevistët pohojnë se nuk është interesuar për ta ndonjë zyrtar socialist. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave Adem Allçi, Simon Miraka, Tanush Kaso, Lili Noci dhe përkrahës të tyre e zhvilluan protestën në hyrjen e parlamentit, ku po zhvillohet edhe greva e urisë, që ka si kërkesa kryesore dënimin e figurës së diktatorit Hoxha dhe hapjen e dosjeve të sigurimit famëkeq të shtetit.

Grevistët thonë se greva e tyre po përcillet me indiferencë nga qeveria dhe se nuk kanë asnjë takim me zyrtarë për kërkesat e tyre. Kryetari i grevës së urisë, Fatmir Hoxha, thotë se qeveria e re premtoi të dëmshpërblente ish të dënuarit politikë me 28 euro për ditë pune në burg, por në fakt përgjysmoi edhe fondin që jepte qeveria e mëparshme. Një tjetër kërkesë e grevës është kthimi në punë i gjithë ish të përndjekurve politikë që janë shkarkuar nga qeveria e re.

Në tubimin protestues u lexua edhe një deklaratë e Federatës “Vatra” të shqiptarëve të SHBA, e cila shprehu shqetësimin për indiferencën e autoriteteve ndaj kësaj greve urie, ndërkohë që në tubimet qeveritare po shfaqen fotot e diktatorit Enver Hoxha. “Vatra” kërkoi dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, dënimin e krimeve të diktaturës dhe dialog me grevistët e urisë, të cilët gjithë së bashku dhe familjarisht kanë kryer 275 vite burg.

Kjo është e disata grevë urie që ish të dënuarit politikë po zhvillojnë gjatë 22 vjetëve të demokracisë për të drejtat e tyre; dëmshpërblime për burgimin e padrejtë, riintegrim me dinjitet në shoqëri dhe dënimin e diktaturës. Qeveria aktuale është angazhuar që të shpërndajë fillimisht dëmshpërblimet për gratë e burgosura, pastaj për më të vjetrit, pastaj ata nën 70 vjeç dhe në fund për trashëgimtarët e ish të dënuarve të vdekur. Ky është një proces ku cdo qeveri ka marrë pjesë nga pak me dëmshpërblime, ligje të reja apo edhe zvarritje me dekada.