Statusi i Nikolla Gruevskit në Facebook: Kam kërkuar strehim politik në Hungari

Një status në faqen e Facebook-ut të ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski., pretendon se ai ndodhet në Hungari ku po kërkon strehim politik, por autoritetet e rendit dhe organet hetuese janë duke parë nëse statusi është shkruar nga ai vetë apo dikush tjetër.

Në disa ditë të fundit mora kërcënime të shumta me jetë. Tash jam në Budapestë dhe kam kërkuar strehim politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do të mbetem besnik ndaj kauzës për Maqedoninë. Asnjëherë nuk do të tërhiqem”, shkruhet në statusin e Fejsbukut të Nikolla Gruevskit.

Zoti Gruevski, deputet i parlamentit të Maqedonisë ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Ministria e Punëve të brendshme e vendit, e cila ka lëshuar një fletë-arresti për të.

Organet e rendit thonë se ish-kryeministri nuk është larguar nga vendi përmes vend-kalimeve zyrtare kufitare. Atij i është konfiskuar pasaporta prej para më tepër se një viti, që kur filluan proceset gjyqësore kundër tij.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkaq, ka fajësuar gjykatën penale “që nuk i caktoi Gruevskit masën e paraburgimit, duke ditur se ai mund të arratisej”.

Policia ka kontrolluar mbrëmë banesën e zotit Gruevski në Shkup dhe ka ndaluar shumë makina që dilnin nga një garazh pranë selisë së VMRO-DPMNE-së për të kontrolluar nëse ai fshihej brenda tyre. Autoritetet e rendit po presin të marrin urdhërin nga gjykatat për ta kontrolluar edhe selinë e partisë më të madhe opozitare të quajtur “Pallati i bardhë”.

Nikolla Gruevski duhet ta vuajë dënimin prej dy vjetësh burg për shkak për ushtrimit të ndikimit për blerjen përmes një tenderi të jashtligjshëm të një makine Mercedes të blinduar me një shumë prej rreth 600 mjë eurosh, para të buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana tjetër, kundër tij zhvillohen edhe katër procese paralele gjyqësore nën akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, veprime të jashtëligjshme dhe vepra penale.