Hamasi dhe Fatahu nënshkruajnë marrëveshje për t'u ribashkuar

  • Zëri Amerikës

Hamasi dhe Fatahu nënshkruajnë marrëveshje për t'u ribashkuar

Presidenti palestinez Mahmud Abas tha se palestinezët po i japin fund periudhës së errët katër vjeçare të ndarjeve, duke rënë dakort për një pakt ripajtimi mes lëvizjes Fatah dhe grupit militant Hamas.

Zoti Abas, shefi i Hamasit Khaled Meshaal dhe personalitete të huaja ishin sot në Kajro për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së hartuar për të bashkuar qeveritë rivale në Bregun Perendimor dhe Rripin e Gazës.

Plani bën thirrje për formimin e një qeverie të përkohshme palestineze të pasuar nga zgjedhjet legjislative dhe presidenciale brenda një viti.

Dy fraksionet u ndanë në vitin 2007 mes mosmarrëveshjeve të thella lidhur me largimin nga pushteti në Gaza të zyrtarëve të grupit Fatah. Izraeli u përgjigj duke e vendosur atë territor nën një bllokadë ekonomike.

Izraeli është kundër marrëveshjes, madje shprehu shqetësim se ajo mund të dëmtojë bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e dënoi marrëveshjen sot, duke thënë se ajo është një grusht i rëndë për paqen.