Helen Thomas, pioniere e gazetarisë amerikane

Ish korrespondetja e Shtëpisë së Bardhë, Helen Thomas, e cila mbuloi presidentët amerikanë për më shumë se 50 vjet, vdiq dje (20 korrik 2013) në moshën 92 vjeçare. Miqtë dhe kolegët thanë se zonja Thomas, e cila njihej si “Dekane e Korpusit të Gazetarëve” të Shtëpisë së Bardhë, vdiq të shtunën në mëngjes në shtëpinë e saj në Uashington. Ajo ishte një nga gazetaret e para gra në një kohë kur ky profesion dominohej nga burrat. Ajo mbuloi çdo president të Shteteve të Bashkuara që është njëkohësisht edhe komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura amerikane, që nga Presidenti John F. Kennedy.

Your browser doesn’t support HTML5

Helen Thomas


Helen Thomas besonte se gazetaria ishte misioni i saj.

"E kam dashur historinë dhe e dija se ky ishte një vend ku mund të mësoja gjithmonë”.

Thomas me origjinë libaneze u diplomua në gazetari dhe u punësua në United Press International, ku edhe punoi për 57 vjet. Në dekadën para vdekjes ajo punoi si komentatore politike për gazetat Hearst. Në vitin 1961, gjatë administrarës së Presidentit John F. Kennedy, Thomas u bë gruaja e parë që mbulonte Shtëpinë e Bardhë.

"Ishte në fakt diçka e mrekullueshme, sepse administrata Kennedy ngjalli shpresa të mëdha. Të rinjtë diskutonin dhe kishin qëllime të mëdha”.

Gjatë 50 vjetëve si korrespondente e Shtëpisë së Bardhë, ajo mbuloi 10 presidentë amerikanë. Në janar të vitit 2010, në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo tha se një nga shërbimet e paharruara të saj ishte vizita historike e Presidentit Richard Nixon në Kinë në vitin 1972.

"Çdo gazetar në Uashington donte të shkonte në Kinë, prandaj mendoj se tetë ditët që ne qendruam atje ishin një përvojë e pasur. Gjithçka kishte një temë, çfarë hanin kinezët, si dukeshin ata, çfarë vishnin e kështu me radhë”.

Gjatë karierës së saj, Thomas vendosi reputacionin si gazetare që bënte pyetje të vështira. Në një konferencë shtypi në 2006, Thomas e pyeti Presidentin George W. Bush të shpjegonte se pse e pushtoi Irakun.

HELEN THOMAS: "Dua t’ju pyes, Z. President, se vendimi juaj për të pushtuar Irakun ka shkaktuar vdekjen e mijëra amerikanëve dhe irakianëve; plagë për amerikanët dhe irakinët për gjithë jetën. Çdo arsye e paraqitur, të paktën publikisht, ka dalë që nuk është e vërtetë. Pyetja ime është, përse deshët në fakt të shkoni në luftë?”

PRES. BUSH: "Mendoj se premisa juaj, me gjithë respektin për pyetjen tuaj dhe për ju si gazetare me një përvojë të gjatë jete, është se unë nuk e kam dashur luftën. Të mendosh se unë e desha luftën është krejtësisht gabim, Helen, me gjithë respektin që kam për ju”.

Shumë sekretarë të shtypit të Shtëpisë së Bardhë ishin gjithnjë në pritje të pyetjeve të saj. Dee Dee Myers ishte sekretare e shpypit me presidentin Bill Clinton.

"Ajo e shikonte punën e saj si një detyrë për siguruar që ne të thoshim të vërtetën faktuale, që ne ishim të besueshëm dhe të detajuar në përgjigjet tona”.

Thomas e pranonte se qendrimi i saj ndaj mungesës së llogjikës në përgjigje ishte i kushtueshëm.

"Mendoj se shumica e presidentëve nuk kanë patur frikë, por nuk kanë dashur të përplasen me mua gjatë pyetjeve, prandaj nuk kanë qënë shumë të kënaqur të më jepnin fjalën. Por jam e mendimit se ne përfaqësojmë popullin amerikan, i cili nuk ka mundësi t’i bëjë pyetje presidentit”.

Megjithëse shumë e shikojnë zonjën Thomas si personin që u hapi rrugën grave gazetare, ajo thoshte se gratë e punësuara kanë një rrugë të gjatë për të bërë.

"Mendoj se grave ende u mbetet të arrijnë barazinë në vendin e punës”.

Ndërsa Helen Thomas do të kujtohet se pioniere i Korpusit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, shpresa e saj ishe që ajo të mbahej mend për diçka tjetër.

"Mendoj se kam kërkuar të vërtetën, sado e dhimbshme ka qënë ajo, dhe drejtësinë për çdo njeri”.

Helen Thomas doli në pension në verën e vitit 2010 në valën e indinjatës që shkaktuan deklaratat e saj kritike ndaj hebrejve të Izraelit. Më pas ajo kërkoi të falur që tha se izraelitët duhet të largohen nga Palestinë dhe të shkojnë nga kishin ardhur, në Gjermani, Poloni, apo Shtetet e Bashkuara.

Megjithë apologjinë e saj, incidenti e cënoi reputacioni e kësaj pioniereje të gazetarisë amerikane dhe solli fundin e karierës së saj të gjatë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha dje se Thomas hapi dyert dhe kapërceu pengesat për breza të tëra grash gazetare, ndërkohë që i detyroi shumë presidentë, përfshirë edhe atë vetë, të ishin tejet të vemendshëm.

Ajo përfundoi dhjetra konferenca presidenciale shtypi me shprehjen e saj të njohur “Ju falemnderit Z. President”.