Reagime pas aludimeve për shëndetin e Hillary Clinton

  • Jim Malone
Përkrahësit e ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton kanë shprehur tronditje nga komentet që bëri këtë javë një komentator republikan, kur ai vuri në pikëpyetje shëndetin e saj, ndërkohë që vazhdojnë spekulimet se zonja Clinton do të konkurrojë për presidente në 2016. Korrespondenti Jim Malone sjell më shumë hollësi mbi formën që mund të marrë fushata presidenciale e vitit 2016:

Gazeta The New York Post botoi një artikull me titullin “dëme në tru” ku flitej për komentet e komentatorit republikan Karl Rove gjatë një fjalimi të fundit që vinte në pikëpyetje shëndetin e zonjës Clinton.

Ish-Sekretarja e Shtetit nuk foli për komentet e zotit Rove në një fjalim dje. Zonja Clinton u shtrua në spital ku u diagnostikua me trombozë në tru në 2012, pasi u rrëzua në shtëpi.
Ish-Presidenti Bill Clinton nuk u kushtoi vëmendje komenteve të zotit Rove dhe tha se bashkëshortja e tij është shumë mirë me shëndet:

“Tani thonë se Hillary ka dëmtime në tru. Nëse do të kishte probleme të tilla, unë duhet të kem probleme edhe më të mëdha, pasi ajo është shumë më e shkathët se unë”.

Zoti Rove ishte një ndër këshilltarët kryesorë politikë të ish-President George W. Bush dhe u përpoq t’i sqaronte komentet në rrjetin Fox News.

“Unë nuk thashë që kishte dëme në tru. Ajo kishte një problem të rëndë shëndetësor. Ky fakt do të dalë si problem në garën presidenciale të vitit 2016, pavarësisht nëse i pëlqen ajo zonjës Clinton”.
Zonja Clinton thotë se do të vendosë nëse do të konkurrojë brenda këtij viti. Anketuesja Celinda Lake thotë se zonja Clinton duhet të presë sulme të reja, nëse vendos të konkurrojë për Shtëpinë e Bardhë:

“Ashtu si nuk pati rezervime në komentet për Obamën, nuk do të kursehen as në komentet për të. Ajo është mjaft e fortë dhe mund ta përballojë, ashtu siç ka bërë prej vitesh”.

Puna e zonjës Clinton si sekretare shteti do të analizohet në hollësi nga një komision special i ngritur nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve për të hetuar sulmin terrorist të vitit 2012 ndaj misionit diplomatik në Bengazi të Libisë, që përfundoi me vrasjen e katër amerikanëve.

Zonja Clinton mbrojti mënyrën si reagoi ajo ndaj incidentit gjatë një seance me pyetje-përgjigje në Senat vjet.

“A ndodhi nga protesta, apo nga që një grup djemsh që kishin dalë shëtitje një natë dhe vendosën të shkojnë të vrasin disa amerikanë? Çfarë rëndësie ka në këtë pikë?”

Zonja Clinton është mësuar me sulmet republikane nga tetë vjetët si zonjë e parë, thotë ekspertja e opinionit publik Karlyn Bowman.

“Ekziston një forcë opozitare kundër Hillary Clinton. Ajo përbëhet nga baza konservatore e Partisë Republikane. Por zonja Clinton duket si kandidate shumë e fortë aktualisht”.

Libri i zonjës Clinton për vitet e saj si sekretare shteti, me titull “Hard Choices” - “Zgjedhje të Vështira” do të botohet muajin e ardhshëm.