Hong Kong: Dita e pestë e protestave

Në Hong Kong, protestat hynë sot në ditën e pestë dhe fushata e mosbindjes civile kërcënon të zgjerohet, nëse shefi ekzekutiv i këtij territori nuk i plotëson kërkesat e protestuesve për reforma demokratike. Protestat i kanë nervozuar investitorët.

Dhjetëra mijëra demonstrues vazhduan të mbajnë të bllokuara të paktën katër rrugët kryesore të qytetit, duke sfiduar kërkesat e qeverisë për t'u larguar.

Në një deklaratë të shkurtër, grupi Occupy Central tha se të mërkurën do të shpallë planet për fazën e ardhshme të mosbindjes civile, në qoftë se Shefi Ekzekutiv i Hong Kongut, Leung Chun-ying nuk i plotëson kërkesat e tyre, të cilat përfshijnë dorëheqjen e tij.

Zoti Leung deri tani nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet. Në një fjalim, ai u bëri thirrje udhëheqësve të grupit për të ndalur protestat menjëherë.

"Organizatorët kanë thënë disa herë më parë se nëse lëvizja del jashtë kontrollit, atëherë ajo do të ndalet. Prandaj, u bëj thirrje organizatorëve të përmbushin premtimin dhe t'i japin fund menjëherë veprimeve të tyre."

Këto ishin komentet e para të zotit Leung që nga e diela, kur policia përdori shkopinjtë dhe sasi të mëdha gazi lotsjellës për të shpërndarë protestuesit paqësorë.

Disa banorë shprehën mbështetjen e tyre për studentët e universitetit të cilët braktisën mësimin gjatë gjithë javës për të marrë pjesë në fushatën pro-demokracisë.

"Unë mendoj se në qoftë se ne kërkojmë diçka, duhet të bëjmë sakrifica. Pa dhimbje, nuk ka fitore. Kur shoh pasionin e të rinjve, i mbështes thellë në zemër. Shpresoj se nuk do të ketë gjakderdhje," thotë Eddie Fung.

Disa i kanë quajtur protestat e udhëhequra nga studentët "Revolucioni i Çadrave", sepse demonstruesit mbajnë çadra për t'u mbrojtur nga dielli dhe nga spërkatësit me piper të policisë.

Protestuesit po bëjnë thirrje që listat e kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2017 të jenë të hapura, por Pekini thotë se lista e kandidatëve do të shqyrtohet dhe miratohet prej tij.

Protestat janë trazirat më të mëdha në Hong Kong që kur Pekin mori kontrollin e kësaj ish kolonie britanike në vitin 1997.

Shumë biznese, stacione të metrosë dhe linja autobuzësh janë paralizuar për shkak të protestave dhe kjo ka ngjallur nervozizëm tek shumë investitorë.