Rrugëtimi i emigrantëve nëpër Ballkan

Mbi 1 mijë e 200 imigrantë në kampin Gjevgjeli të Maqedonisë në kufirin grek, u nisën sot në mëngjes me tren drejt Serbisë, me shpresën për të shkuar në vende të Bashkimit Europian. Treni me tetë vagona, me një kapacitet për vetëm 120 njerëzi, ishte i mbushur plot me familje me fëmijë të vegjël.

Një numër përherë e më i madh emigrantësh kanë kaluar përmes vendeve ballkanike në ditët e fundit, në përjekje për të shkuar në Serbi e më pas në Hungari.

Shumica e tyre shpresojnë të shkojnë Gjermani, vendi europian që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve. Por dje Gjermania vendosi kontrolle të përkohëshme në kufi, për të kontrolluar fluksin e jashtëzakonshëm të emigrantëve. Megjithatë, ky vendim i Gjermanisë nuk i lëkundi shpresat e emigrantëve, në kërkim të një jete të sigurtë.

Sipas organizatës UNHCR, dje në Maqedoni kanë hyrë mbi 9 mijë refugjatë, një shifër kjo rekord për këtë vit.