Incident me armë zjarri në gjykatën e Lezhës, vritet një person

  • Pëllumb Sulo

Një situatë e rendë dhe e tensionuar është krijuar sot paradite në mjediset e brendshme të Gjykatës së rrethit gjyqësor të Lezhës, si dhe përpara ndërtesës së kësaj gjykate, kur pjesëtarë të dy familjeve, të thirrura në një process gjyqësor për zgjidhjen e një mosmarrveshje pronësie, u konfliktuan deri në përdorim të armëve të zjarrit.

Fillimisht, pjesëtarët e dy familjeve debatuan dhe u ndeshëm fizikisht në mjediset e brendshme të gjykatës. Konflikti vazhdoi edhe në dalje të ndertesës së gjykatës, ku u dëgjuan të shtëna armësh. Për pasojë, ka mbetur i vrarë një person dhe janë plagosur katër të tjerë, njëri prej të cilëve mendohet të jetë kalimtar i rastit. Të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit dhe, dy prej tyre, u trasportuan për në spitalet e kryeqytetit për shkak të gjendjes së rendë shendetësore.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar me shpejtësi forcat e policisë vendore dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë nga Shkodra, të cilët po mbajnë nën kontroll situatën, për të penguar përshkallëzimin e mëtejshmëm të konfliktit. Policia ka sekuetruar në vendin e ngjarjes të paktën një armë zjarri të tipit pistoletë.

Ngjarja e sotme, brenda dhe në hyrje të Gjykatës së Lezhës, ka rishfaqur shqetësimin për gjendjen e sigurisë në gjykata, shqetësim që është ngritur shpesh nga trupat gjyqsore.

Ndërkohë, problemet e pazgjidhura të pronësisë vazhdojnë të shkaktojnë konflikte në Shqipëri. Sipas shoqatave joqeveritare, janë problemet e pronësisë ato që shkatojnë edhe numrin më të madh të konflikteve në vend, konflikte që jo në pak raste përfundojnë me përdorim të dhunës.