Irani ka propozuar një raund të ri bisedimesh për programin e tij të debatuar bërthamor, ndërsa duket se po i shtyn provat me raketa me rreze të gjatë veprimi që kishte thënë më parë se do të zhvilloheshin sot.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA thotë se negociatori për çështjet bërthamore Saeed Jalili ka ftuar pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermaninë, që njihen si grupi P5+1 që t’u rikthehen bisedimeve.
Takimi i fundit i këtij grupi me Iranin ishte në Janar të këtij viti dhe përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Fuqitë perëndimore e akuzojnë Iranin se po zhvillon teknologji bërthamore për të prodhuar armë atomike. Irani thotë se ambicjet e tij bërthamore janë paqësore.