Irani thotë se mund ta lirojë së shpejti alpinisten amerikane

  • Zëri Amerikës

Irani thotë se mund ta lirojë së shpejti alpinisten amerikane

Irani thotë se alpinistja amerikane e ndaluar më tepër se një vit më parë, nënakuzat për hyrjen ilegalisht në vend mund të lirohet së shpejti me kusht, por përsëri do të dalë para drejtësisë.

Një prokur i lartë i Iranit tha se një nga pengjet amerikane, alpinistja Sarah Shourd, e cila mbahet krahas me dy alpinistë të tjerë prej më tepër se një viti nga Teherani, mund të lirohet me kushtin e pagesës së 500 mijë dollarëve. Familja e alpinistes thotë se ajo ka nevojë për trajtim mjekësor.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, David Axelroid, tha sot se administrata shpreson dhe është inkurajuar nga thëniet për lirimin e alpinistes, por ai gjithashtu shprehu skepticizëm, duke thënë se “edhe më parë ka patur premtime për këtë çështje”. Ai tha se Sarah Shourd dhe dy kolegët e saj nuk duhet të ishin ndaluar.

Sarah Shourd dhe dy amerikanë të tjerë, Shane Bauer dhe Josh Fattal, u ndaluan nga autoritetet iraniane në 31 korrik të vitit të kaluar dhe ndaj tyre u ngritën akzua për veprimtari spiunazhi dhe hyrjen ilegalisht në Iran. Të tre ata këmbëngulin se kishin hyrë gabimisht në territorin iranian dhe se nuk kanë patur qëllime spiunazhi.