Iraku 10 vjet pas Sadam Huseinit

  • Scott Bobb
Kanë kaluar 10 vjet që kur statuja e Sadam Huseinit u rrëzua në qendër të Bagdadit, një akt ky që simbolizoi përfundimin e regjimit të tij dhe një fillim të ri për irakianët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Bobb mbuloi luftën e Irakut dhe pasojat e saj. Ai u kthye kohët e fundit në atë vend dhe ofron në vazhdim vëzhgimet e tij.

Sheshi i Parajsës së Bagdadit: Sot aty ka mbetur vetëm një çizme e statujës së Sadam Huseinit.
Për shumë njerëz, dita që irakianët, me ndihmën e trupave amerikane, rrëzuan statujën shënoi fundin e një diktature brutale dhe fillimin e një shprese të re.

Sot sheshi është plot parulla fushate për zgjedhjet lokale të këtij muaji, të pestat në Irak që prej vendosjes së demokracisë shumëpartiake.

Në qendër të Bagdadit, rrugët kryesore duken më të pastra dhe më të riparuara se sa gjatë viteve pas përfundimit të luftës. Makina të reja bllokojnë udhëkryqet në orët me trafik të dëndur, ndërkohë që bllokimi i trafikut mund të vazhdojë për orë të tëra.

Por shumica e irakianëve thonë se demokracia nuk e ka përmirësuar jetën e tyre. Mahdi al-Moussawi është i papunë dhe mbijeton me punë ditore të rastit.

“Në përgjithësi situata e sigurisë është përmirësuar pak, por ende kemi probleme”.

Shpërthimet me bombë janë pakësuar në krahasim me kulmin e konkliktit sektar para disa vjetësh, megjithatë dhuna kryesisht sektare vazhdon të vrasë dhe gjymtojë qindra njerëz çdo muaj.
Në tregun qendror të Bagdadit, njerëzit ankohen se çmimet janë shumë më të larta sesa para luftës, kur karburanti dhe artikujt bazë subvencionoheshin shumë. Intissar Fadl është nënë e 5 fëmijëve:

“Është tragjike, me të vërtetë tragjike. Disa njerëz nuk kanë mjaft para për të blerë një kile ushqime. Ne kemi diçka për të ngrënë, por të tjerët nuk kanë. Ne jetojmë sot për sot”.

Industria irakiane e naftës në përgjithësi është normalizuar, por shumë irakianë thonë se vetëm një elitë e vogël përfiton nga pasuria e madhe e naftës së Irakut. Korrupsioni është jashtë kontrollit, ndërsa shërbimet publike janë të bobëta.
Megjithatë irakianët përpiqen, kurdoherë që kanë mundësi, të bëjnë një jetë normale. Ata shkojnë me familjen në Parkun Zawra për piknik ose për një lundrim me barkë. Sara Gae'ib është redaktore e gazetës lokale Al-Gad Al-Mas.

“Kur shkojmë në park ne ndjehemi se Iraku është një vend paqësor, por kur dalim nga parku çdo gjë ndryshon”.

Parku i argëtimit, megjithëse pas një kohë shumë të gjatë, më në fund është rindërtuar. Nga karuzeli, njerëzit mund të shikojnë Zonën e Gjelbërt të fortifikuar mirë, e ndaluar për të gjithë me përjashtim të pak njerzve, që jetojnë dhe punojnë aty.

Disa thonë se jeta po përmirësohet, por duhet më shumë kohë. Të tjerë thonë se jeta po i kthehet gjendjes së kaluar. Megjithatë, asnjeri nuk feston përvjetorin e luftës, e cila varësisht se kë pyet mund të ketë sjellë shumë apo pak ndryshime.