Irak, zgjidhet kryetari i parlamentit

Parlamenti i përçarë i Irakut dje bëri një hap përpara drejt zgjidhjes së ngërçit politik duke zgjedhur ligjvënësin suni Salim al-Jubouri në postin e kryetarit.
Nënpresidenti amerikan Joe Biden telefonoi zotin Jubouri për ta uruar për postin dhe tha se ai do të punojë ngushtë me të.

Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti Biden dhe zoti Jubouri ranë dakord se ligjvënësit irakianë duhet të lëvizin shpejtë për të formuar një qeveri të re dhe për të trajtuar kryengritjen e militantëve suni.

Sipas një marrëveshjeje formale pas pushtimi ushtarak nga Shtetet e Bashkuar që çoi në përmbysjen e diktatorit Saddam Husseinin në vitin 2003, posti i kryetarit të parlamentit duhet t’i takojë një anëtari të pakicës suni, posti i presidentit një anëtari të pakicës kurde dhe ai i kryeministrit një anëtari të shumicës shiite.

Pas zgjedhjes së zoti Jubouri në postin e kryetarit, tani prlamenti ka një afat 30 ditor për të zgjedhur presidentin e vendit, i cili më pas brenda 15 ditësh do të duhet t’i kërkojë partisë ose koalicionit më të madh në parlament që të zgjedh kandidatin për kryeministër dhe të formojë qeverinë.