Italia thotë se do t’i kërkojë Tunizisë leje të ndërhyjë brenda territorit tunizian për të bllokuar valën e tunizianëve që largohen vendi i tyre për shkak të trazirave politike dhe sociale.
Ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni tha sot në një intervistë për televizionin italian, se do t’i kërkojë leje për ndërhyrje homologut të tij tunizian, ngaqë sipas tij, sistemi tunizian i sigurisë po merr fund.
Zoti Maroni i tha gazetarëve javën e kaluar se druhet se mos elementë kriminalë dhe terroristë mund të hyjnë në radhët e refugjatëve që shkojnë në ishullin e Lampeduzës.
Pas trazirave në Tunizi, në këtë ishull kanë hyrë më tepër se 2 mijë refugjatë, gjë që i detyroi autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës humanitare.