Jep dorëheqjen një nga drejtueset kryesore britanike të perandorisë globale të medias

  • Zëri Amerikës

Jep dorëheqjen një nga drejtueset kryesore britanike të perandorisë globale të medias

Një nga drejtueset kryesore britanike të Perandorisë globale të medias, pronë e manjatit amerikan Rupert Murdok dha dorëheqjen pas bujës dhe presioneve të mëdha ndaj kompanisë lidhur me skandalin e përgjimit të telefonave dhe korrupsionit të policisë.

Çështja ka bërë që të fillojnë hetimet si në Shtetet e Bashkuara, edhe në Britani. Rebeka Bruks, shefja ekzekutive e News International dha sot dorëheqjen nga posti. Më parë ajo ka qenë redaktore e gazetës News of the World, që u vu në qendër të skandalit.

Rupert Murdok e mbylli papritur javën e kaluar gazetën, pasi u bë e njohur se ka kontrolluar, në kundështim me ligjin, mesazhet e telefonave të qytetarëve privatë, mes tyre edhe të një adoleshenti të vrarë dhe të familjeve të ushtarëve të vrarë.

Rebeka Broks do të zëvendësohet nga Tom Mokrixh, kreu i televizionit të Korporatës së Lajmeve Sky Italia. Bruks ka rënë dakord të dëshmojë javën e ardhshme para Parlamentit britanik lidhur me skandalin që e detyroi Rupert Murdokun të heqë dorë nga blerja për 12 miliardë dollarë e kompanisë britanike British Sky Broadcasting.