Këshilli i imuniteteve mblidhet për rastin e Ilir Metës

  • Zëri Amerikës

Këshilli i imuniteteve mblidhet për rastin e Ilir Metës

Në Shqipëri sot Këshilli i Rregullores dhe imuniteteve i parlamentit, u mblodh pas kërkesës së Prokuorisë për heqjen e imunitetit ndaj ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta lidhur me videon e bisedës së bërë mes tij tij dhe ish ministrit Dritan Prifti.

Keshilli degjoi zotin Meta i cili përsëriti edhe një herë se kërkon që vendimi për heqjen e imunitetit të merret sa më shpejt, pasi sipas tij Prokuroria po e zvarrit këtë cështje. Zoti Meta tha se Prokuroria, me ekspertizën e videos nuk i ka dhënë përgjigje cështjes kryesore, vërtetësisë së përmbajtjes së bisedës.

Në relacionin e Prokurorisë thuhet se eksperti nuk ka patur mundësi të pastrojë sekuencat audio. Zoti Meta i dorëzoi këshillit një tjetër ekspertizë të realizuar sipas tij në Itali nga njëri prej ekspertëve më të njohur, i cili sic tha zoti Meta ka konstatuar ndërpreje dhe ndërhyrje në materialin e transmetuar. Sipas zotit Meta është konfirmuar manipulimi i materialit.

Këshilli pritet t’ia kalojë me shpejtësi seancës vendimin për heqjen e imunitetit të zotit Meta, ndërkohë që nesër do të dëgjojë edhe ish ministrin Dritan Prifti, për të cilën prokuroria gjithashtu ka kërkuar heqjen e imunitetit pasi ka gjetur në materialet e dorëzuara prej atij vetë, një tjetër video në të cilin ai bashkë me ish zëvendësministrin Leonard Beqiri flasin për përfitime financiare dhe ndajnë mes tyre 70 mijë euro.