Histori: Çfare ndodhi më 15 shtator?

  • Astrit Lulushi
Histori - Çfare ndodhi më 15 shtator?

1789 - Kongresi amerikan krijon Departamentin e Shtetit nga Departamenti i më parëshëm i Punëve te Jashtme. Departamenti i Shtetit shpesh quhet edhe Foggy Bottom, emri i zonës ku ndodhet ndërtesa e tij në Washington. Në shtator 2000, ndërtesës së Departamentit të Shtetit iu dha emrin Harry S. Truman, për nder të presidentit të 33-të amerikan (1945 - 1953). Në ndërtesën Truman punojnë më shumë se 8 mijë vetë, aktualisht nën drejtimin e sekretarit të Shtetit John Kerry.

1935 – Fillon zbatimi i ligjit të Nurembergut, që privoi hebrenjtë nga shtetësia e tyre gjermane dhe e bëri Svastikën emblemën zyrtare të Gjermanisë naziste.

1948 - Franz Babinger - linguist, orientalist, albanolog, historian i njohur gjerman - ri-fillon karrierën e tij si profesor në Universitetin e Mynihut, pas një ndërprerjeje prej 15 vjetësh. Babinger (l1891-1967), pa mbaruar ende shkollën e mesme, dinte disa gjuhë, përfshi persishten dhe hebraishten. Në Luftën e parë (1914-1918), ai shërbeu në ushtrinë gjermane dhe, si njohës i gjuhëve orientale, dërgohet në front në Lindjen e Mesme. Në vitet 1920, profesor në universitetin e Berlinit, Franz Badinger botoi librin "Mehmed the Conqueror and his time", studim i rrallë akademik mbi figurën e sulltanit Mehmed II, pushtues i Kostandinapolit (Stamboll i sotëm) më 1453, dhe zgjeruesi i kufijve të Perandorisë Osmane përtej cdo parashikimi. Ky libër e bëri Babingerin autoritet të padiskutueshëm në çeshtjet lindore, dhe e shndërroi universitetin e Mynihut në qendër botërore të studimeve orientaliste. Me ardhjen e nazistëve në pushtet në Gjermani më 1933 , Babingerit - ashtu si dhe shumë shkencëtarëve gjermanë me prejardhje hebraike - iu mohua e drejta për të dhënë mësim në shkolla. Dhe studiuesi i shquar ikën në Rumani - deri në vitin 1943 - dhe atje pa e përjetoi vuajtje, përndjekje e krime. Në vitin 1957, Babinger dëshmon hapur në gjyq mbi mizoritë naziste kundër hebrenjve në Rumani. Në vitin 1958, ai del në pension, por vazhdon të punojë dhe publikojë; ndër studimet monografike të kësaj periudhë është edhe libri "Das Ende der Arianiten" ose "Fundi i Arianitëve", ku Baninger merr në analizë këtë familje fisnikësh shqiptarë të periudhës së Mesjetës. Franz Babinger vdiq aksidentalisht në 23 qershor 1967 - trupi i tij u gjet i mbytur në det në plazhin e Durrësit, Shqipëri - ku duket se kishte shkuar për pushime, kërkime shkencore, për ndonjë konferencë albanologjike, apo për të trija së bashku.

1990 - Shqipëria kërkon anëtarësim të plotë në Konferencën per Sigurim e Bashkëpunim në Evrope, KSBE, sot OSBE. Pak Histori brenda Historisë - Në gusht 1975, 35 vende evropiane, përfshi Kanadanë e SHBA-në, u mblodhën në Helsinki të Finlandës, me synimin për të zbutur tensionet Lindje - Perendim. Në perfundim, pas disa ditë debatesh, pjesmarrësit nënshkruan atë që njihet si Deklarata e Helsinkit. Pikërisht mbi këtë dokument Shqipëria nuk pranoi të vinte firmën, dhe kuptohet pse; një nga pikat kryesore të Deklaratës së Helsinkit është “respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke përfshirë edhe lirinë e mendimit, ndërgjegjes, fesë ose besimit”. Tiranës zyrtare do t'i duheshin plot 15 vite për të kuptuar dhe pranuar domosdoshërinë e këtyre të drejtave.

1997 – Disqet me këngën "Candle in the Wind" të Elton Xhonit shiten më shumë se 600-mijë kopje në ditën e parë të daljes në dyqanet britanike. Në një dyqan muzikor në Londër, kjo këngë kushtuar Princeshës Diana u shit 1-mijë kopje për 90 minuta.

2000 - Në Sydney të Australisë hapen Lojrat verore Olimpike - - ekipe nga 199 vende morën pjesë - Shtetet e Bashkuara fituan shumicën e medaljeve (93), ndërsa Australia në vend të 4 me 58 medalje.

Mendim i ditës
"A është e vërtetë se dikujt i duhet të udhëtojë jashtë në mënyrë që t'i njohë njerëzit? Sepse është më lehtë për t'i njohur njerëzit brenda vendit dhe udhëtimi jashtë të vlejë për të njohur veten".
Anonim