Fillon të qartësohet kampi i kandidatëve republikanë për president

  • Jim Malone

Fillon të qartësohet kampi i kandidatëve republikanë për president

Ekspertët politikë thonë se gara mes republikanëve për momentin ka tre kandidatë kryesorë që dallojnë nga të tjerët: ish guvernatori i shtetit Masaçusets Mit Romney, guvernatori i tanishëm i Teksasit Rick Perry dhe ligjvenësja nga shteti i Minesotës Michele Bachmann.

Zonja Bachmann fitoi votimin ne shtetin e Iowas, një votim-prove për kandidatët që mund të shërbejë si parashikim për zgjedhjet paraprake të Iowas në fillim të vitit të ardhshëm.

“Strategjia ime është Obama. Unë synoj të jem kandidatja e Partisë Republikane, të konkuroj kundër tij dhe ta mund në 2012”.

Por fitorja e ligjvensës Bachmann në Iowa, doli disi në plan të dytë, për shkak të njoftimit tjetër, se në garën republikane për president po hynte edhe guvernatori i Teksasit Rick Perry.

“Unë besoj tek Amerika. Unë besoj në qëllimin dhe premtimin e saj. Unë besoj se ditët më të mira të saj i kemi përpara. Dhe me ndihmën tuaj dhe me hirësinë e Zotit, ne do ta ngremë Amerikën përsëri”.

Ashtu si kandidatja Bachmann, edhe Rick Perry ka si bazë mbështetjeje qarqet sociale konservatore dhe përkrahësit e të ashtuquajturës “Tea Party”, që mbështesin zvogëlimin e qeverisë federale.

Zoti Perry po ashtu shpreson të sigurojë edhe mbështetjen e qarqeve ekonomike konservatore, të cilët mbështesin atë që mendohet se është deri tani kandidati kryesor republikan, ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romney.

Zoti Romney i ka përqëndruar kritikat ndaj presidentit Obama.

“Pashë sot në mëngjes se miratimi i publikut për politikat e tij ka rënë në nivelet më të ulta. Kjo, jo se ai nuk po bën fushatë, por sepse ai nuk po udhëheq. Populli amerikan ka nevojë për një president që të vihet në krye për të rigjallëruar ekonominë”.

Ekspertët thonë se vendimi i zotit Perry për të hyrë në garë ka tronditur betejën për sigurimin e kandidaturës republikane. Matthew Dowd, analist politik për rrjetin televiziv ABC, i cili ka punuar për ish presidentin George Bush thotë se Rick Perry do të jetë një kandidaturë shumë e fortë.

“Ai është i talentuar për të bërë fushatë elektorale. Unë kam parë Xhorxh Bushin në fushatë, më pas kam punuar për të, dhe e njoh Rick Perrin. Për mua, në këtë moment ai është më mirë se Xhorxh Bushi për fushatë”.

Mit Romney kryeson me një avantazh të lehtë ndaj pretendentëve të tjerë, sipas anketave të fundit, por shumë konservatorë janë skeptikë për rolin e tij kur ka qënë guvernator i shtetit Masaçusets, një shtet i njohur që anon nga demokratët dhe po kërkojnë për një kandidat me prirje më konservatore.

Reid Wilson është redaktor i një periodiku politik.

“Pra ata po kërkojnë për një kandidat tjetër, që të rivalizojë me Mit Romney-n. Rick Perry përfaqëson pikërisht mundësinë ideale për ta. Ai ka marrëdhënie të mira me bazën evangjeliste dhe ai është republikani i vetëm që ka fituar në një garë shtetërore duke u mbështetur plotësisht në platformën e lëvizjes Tea Party.”

Rick Perry gëzon mbështetje mes qarqeve konservatore, por disa republikanë shtrojnë pyetjen në se ai mund të sigurojë mbështetje të mjaftueshme mes votuesve të moderuar që shpesh janë të nevojshëm për të fituar një garë presidenciale. Rick Perry do të vihet në provë në javët e ardhshme. Gjatë shtatorit janë planifikuar tre debate televizive mes kandidatëve republikanë.