Nostalgji për Karl Marksin në Gjermani

Në qytetin Trier në Gjermani u zbulua sot një statujë e Karl Marksit, në 200 vjetorin e lindjes së filozofit gjerman që frymëzoi ideologjinë e ekstremit të majtë dhe diktatorët komunistë të Lindjes.

Statuja 4.4 metra e lartë është dhuratë e Kinës dhe ka zgjuar kritika të ashpra nga individë dhe grupe që fajësojnë Marksin për revolucionet e përgjakshme komuniste dhe regjimet shtypëse që uzurpuan një pjesë të madhe të botës nga Evropa Lindore në Rusi e Kinë.

Filozofia e Marksit e shpalosur në veprat e tij Manifesti dhe Kapitali, gjeti një aleat të pazakontë dje tek Jean Claud Juncker, president i Komisionit Evropian. Ai foli në vendlindjen e tij, Trier për mesazhin e Marksit, duke u shprehur se filozofi gjerman nuk duhet gjykuar për krimet që kryen të tjerët vite pas vdekjes së tij. Zoti Juncker u shpreh se forca shtytëse e kapitalizmit duhet balancuar me një mendësi që nuk interesohet thjesht për sistemin, por edhe për njerëzit në këtë sistem. Ai foli gjithashtu për nevojën që t’i kushtohet rëndësi dimensionit social të Bashkimit Evropian.