Sekretari Kerry fillon vitin e ri në Lindjen e Mesme

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do ta fillojë vitin e ri në Lindjen e Mesme, me një tjetër përpjekje për të çuar përpara procesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Vizita e zotit Kerry vjen ndërkohë që Izraeli përgatitet për lirimin e një tjetër grupi të burgosurish palestinezë, të cilin e quan një gjest të vullnetit të mirë.

Dhjetra izraelitë protestuan dje kundër lirimit të palestinezë jashtë shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Lirimi i të burgosurve është pjesë e procesit të një përpjekjeje për të ecur drejt një marrëveshjeje, ku Izraeli dhe një shtet palestinez të ekzistojnë në paqe krahas njëri-tjetrit.

Një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit tha se zoti Kerry do të niset nga Uashingtoni më 1 janar për të takuar zotin Netanyahu në Jeruzalem. Më pas ai do të shkojë në Ramallah të Bregut Perëndimor për t'u takuar me presidentin palestinez Mahmoud Abbas.