Khodorkovsky për lirimin e të burgosurve politikë rusë

Ish-manjati rus i naftës, Mikhail Khodorkovsky, i cili u fal nga presidenti Vladimir Putin pas 10 vjetësh burgim, thotë se do të bëjë gjithçka mundet për lirimin e të burgosurve të tjerë politikë rusë.

Gjatë një konference shtypi sot në Berlin, zoti Khodorkovsky tha se ai nuk duhet të shihet si një simbol që tregon se në Rusi nuk ka më të burgosur politikë.

Ish-njeriu më i pasur i Rusisë tha se ai nuk do të hyjë në politikë dhe as do të përpiqet për rikthimin e pronave të ish-kompanisë së tij të naftës. "Lufta për pushtet nuk është për mua," u tha ai gazetarëve.

Në një intervistë të botuar në revistën ruse New Times, zoti Khodorkovsky tha se për lirimin e tij nuk u vunë kushte dhe se ai nuk kishte pranuar se kishte kryer ndonjë vepër penale.

Zoti Khodorkovsky u arrestua në vitin 2003 nën akuzën për mashtrim dhe evazion fiskal. Dënimi i tij u kritikua gjerësisht si hakmarrje politike për financimin e partive opozitare.

Khodorkovsky u dërgua në Berlin të shtunën, por ai tha se kishte mësuar se po e çonin në Gjermani vetëm gjatë udhëtimit.