Hagel diskuton situatën e sigurisë në Detin e Kinës Lindore

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel ka konfirmuar se traktati amerikano-japonez për mbrojtjen është i vlefshëm edhe për një grup ishujsh mbi të cilat kanë pretendime si Kina edhe Japonia. Kina i ka përfshirë këta ishuj në përpjekjet e saj për të krijuar një zone të mbrojtjes ajrore.

Një zëdhënës i Pentagonit thotë se Sekretari Hagel bisedoi dje me homologun e tij japonez, Itsunori Onodera, për të diskutuar situatën e sigurisë në Detin e Kinës Lindore.

Zëdhënësi thotë se zoti Hagel “vlerësoi qeverinë japoneze që është treguar e frenuar pas njoftimit kinez”.

Zyrtarë të lartë të administratës Obama thanë se Nënpresidenti Joe Biden do ta diskutojë çështjen me zyrtarë në Kinë javën e ardhshme në kuadër të vizitës së tij në tri vende në rajon, ndër të cilat edhe një ndalesë në Japoni.

Të martën, Pentagoni njoftoi se kishte dërguar dy avionë B-52 pranë ishujve të diskutuar në sfidën e parë të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjes së Pekinit për të vendosur një zonë të mbrojtjes ajrore.

Ministria Kineze e Mbrojtjes tha dje se i kishte diktuar menjëherë avionët dhe kishte ndjekur trajektoren e tyre. Ajo paralajmëroi se “Kina është e aftë të ushtrojë kontroll efektiv” mbi zonë.

Pentagoni tha të hënën se fluturimet nuk kishin zgjuar reagim të menjëhershëm nga Kina, e cila dy ditë më parë e kishte shpallur hapësirën ajrore si pjesë të zonës së re të mbrojtjes ajrore. Kina paralajmëroi të gjithë avionët të identifikohen para futjes në zonë dhe të respektonin urdhërat nga Pekini.