Sfidat e komunitetit aziatiko-amerikan

Në distriktin e Los Anxhelosit në Kaliforni jetojnë më shumë aziatiko-amerikanë se kudo tjetër në Shtetet e Bashkuara. Në një raport të fundit, të publikuar nga Shoqata Aziatiko-Amerikanët për Avancimin e Drejtësisë në Los Anxhelos, thuhet se nga viti 2000 deri më 2010, amerikano-aziatikët vazhduan të jenë grupi etnik me rritjen më të shpejtë. Në raport gjithashtu thuhet se numri i amerikanëve me origjinë nga Azia dhe Paqësori që janë të papunë dhe që jetojnë në varfëri në rajonin e Los Anxhelosit ka vazhduar të rritet. Ju njohim tani me aziatikët në Long Beach të Kalifornisë, ku jeton një komunitet i madh kamboxhianësh.

Vështirësitë e komuniteteve të emigrantëve në distriktin e Los Anxhelosit, si ky, në përgjithësi janë të padukshme për vendin.

Por shumë njerëz këtu nuk përjetojnë atë histori suksesi dhe asimilimi të lehtë, siç ndodh rëndom me aziatiko-amerikanët, thotë studiuesja Kristin Sakaguchi.

"Shumë nga këto komunitete janë të lëna mënjanë dhe nuk kanë kujdesje të mjaftueshme."

Një raport i fundit arrin në përfundimin se 11 përqind e aziatiko-amerikanëve në Los Anxhelos jetojnë në varfëri, por shifrat janë më të larta për disa grupe, si amerikanët me origjinë nga Kamboxhia, ku varfëria kap 25 për qind. Shumë prej tyre janë të paarsimuar dhe kanë qenë fermerë apo peshkatarë para se të vinin në Amerikë, thotë Lian Cheun e organizatës Khmer Girls in Action, e cila ndihmon nxënëset kamboxhiano-amerikane të shkollave të mesme.

"Është tabu të mendojmë se ne jemi ende duke jetuar në varfëri duke marrë parasysh se tani jemi jashtë Kamboxhias. Prandaj, njerëzit nuk kanë dëshirë të flasin për këtë."

Shumë kamboxhianë kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara si refugjatë.

"Ne kemi ardhur nga një histori e luftës dhe gjenocidit në vendin tonë, dhe komuniteti ynë ka një ndër nivelet më të larta të stresit postraumatik,madje më të lartë se veteranët amerikanë që kthehen nga lufta."

Sokbrany Yourk është gjimnaziste kamboxhiano-amerikane. Ajo thotë se prindërit e saj nuk flasin për të kaluarën dhe nuk janë asimiluar.

"Prindërit e mi punojnë në një linjë prodhimi dhe të dy janë refugjatë nga Kamboxhia. Ata e flasin me vështirësi anglishten."

Sokbrany Yourk thotë se familja e saj, si shumë të tjera të shokëve të saj, është në vështirësi ekonomike dhe nuk ka para për shkollimin e saj dhe tre vëllezërve e motrave të saj.

"Ne e kemi të vështirë të aplikojmë në universitete ose të shkojmë aty ku duam, sepse mund të mos e përballojmë dot nga ana financiare."

Yourk u bashkua me organizatën Khmer Girls in Action dhe po merr pjesë në protesta si kjo para qendrës së distriktit për arsimin me shpresën se gjendja do të përmirësohet. Lian Cheun thotë se organizata Khmer Girls in Action e ka të vështirë të aplikojë për fonde, aq të nevojshme për të mbështetur komunitetin.

"Shpesh, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për financuesit që ata të justifikojnë dhënien e parave për komunitetin tonë."

Arsyeja është se aziatiko-amerikanët tradicionalisht janë konsideruar si një grup i vetëm. Lian Cheun thotë se ajo shpreson se me rritjen e arsimimit, agjencitë qeveritare do të shohin dallimet në mesin amerikanëve me origjinë nga Azia dhe do të ndryshojnë mënyrën e mbledhjes së të dhënave. Megjithatë, ky do të jetë vetëm një hap për të ndihmuar përpjekjet e kamboxhiano-amerikanëve për të dalë nga varfëria.