SHBA, Kina, sanksione të reja kundër Phenianit

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një marrëveshje mbi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Koresë së Veriut, për provën bërthamore të kohëve të fundit dhe hedhjen e një rakete me rreze të gjatë veprimi.

SHBA ia çojnë sot projektrezolutën Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ende nuk janë bërë të njohura hollësitë e saj.

Ky njoftim vjen ndërsa Ministri i Jashtëm i Kinës vizitoi Uashingtonin, ku u takua me Sekretarin e Shtetit John Kerry dhe me Këshilltaren për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice.

Koreja e Jugut e cilësoi projektmarrëveshjen “të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse”.

Marrëveshja mes Uashingtonin dhe Pekinit për Korenë e Veriut mundet të përfaqësojë një kompromis mes mbështetjes së Uashingtonit për sanksione ekonomike si presion ndaj Phenianit, për të hequr dorë nga programi i armëve bërthamore dhe theksit të Kinës për të ruajtur stabilitetin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut.

Megjithatë, duke u bashkuar me Uashingtonin në mbështetjen e sanksioneve të reja ndërkombëtare, Pekini mund të jetë duke dhënë një sinjal se qëndrimi pajtues ndaj Phenianit, nuk ka funksionuar dhe se duhen masa më të ashpëra.