Lehtësime për lëvizjen Shqipëri-Kosovë

  • Pëllumb Sulo

Mes policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës u nënshkrua sot memorandumi mbi procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në Pikëkalimin Kufitar Vërmicë-Morinë. Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në Pikëkalimin Kufitar të Vermicës, në territorin e Kosovës, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Haki Çako dhe ai i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Memorandumi mes policive të dy vendeve nënshkruhet në prag të sezonit të ri turistik veror me synim thjeshtësimin dhe shpejtimin e procedurave të kalimit kufitar. Për ketë, do të zbatohet kontrolli i plotë kufitar hyrje-dalje nga secila pale duke vendosur kabina të përbashkëta.

Prej vitesh Shqipëria e mbështet sezonin turistik veror tek pushuesit nga Kosova. Ndaj, lehtësimi i lëvizjes së pasagjerëve në pikëkalimin kryesor kufitar mes dy vendeve, pritet të mundësojë shtimin e numrit të qytetarëve nga Kosova dhe vendet e Bashkimit Europian, të cilët hyjnë në territorin e Shqipërisë përmes linjave tokësore dhe ajore