Kosovë: Parlamenti miraton buxhetin për vitin 2021

Me 85 vota për, parlamenti i Kosovës miratoi të martën projektligjin për buxhetin e vitit 2021, duke përmbushur synimin që vendi të ketë buxhet të miratuar para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

Buxheti i Kosovës për vitin 2021, është rreth 2.4 miliardë euro. Viteve të fundit buxheti nuk ka arritur të miratohet asnjëherë brenda afatit ligjor pra me 31 dhjetor. Buxheti i vitit 2020 u miratua në muajin mars të këtij viti, ndërkaq buxheti i vitit paraprak në shkurt të vitit 2019.

Seanca e së martës pritet të jetë edhe e fundit jo vetëm për vitin 2020 por edhe për mandatin e këtij parlamenti që pritet të shpërndahet menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor, tha se qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, ndërsa përcaktoi që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme jo më larg se dyzet ditë pas shpalljes së tyre.

Lexoni edhe këtë Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë e Kosovës – vendi në zgjedhje

Qeveria e kryeministrit Hoti u votua me 3 qershor, duke u bërë qeveria e dytë që doli nga zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor të vitit 2019. Qeveria e parë e ish kryeministrit Albin Kurti u miratua më 3 shkurt dhe u rrëzua më 25 mars. Të dyjat janë qeveritë më jetëshkurtra në historinë e re të Kosovës.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila javën që lamë pas zhvilloi këshillime me partitë politike rreth kësaj çështjeje.

Lexoni edhe këtë Kosova në kërkim të datës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të tretat brenda katër viteve në Kosovë, ku që nga shpallja e pavarësisë asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj.