Kosovë, arrihet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit të ri

Qeveria e Kosovës tha se ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re. Kjo u bë e ditur pas takimit të Komitetit Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re”, gjatë të cilit u bë e ditur se marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe se sipas marrëveshjes pritet të investohen mbi 1 miliardë euro.

Në komunikatën e qeverisë thuhet se “pas finalizimit, projekti do të sigurojë pavarësinë energjetike për Kosovën dhe termocentrali i ri do të prodhojë 500 megavat orë energji elektrike.

Termocentrali i ri sipas qeverisë do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional nga viti 2023 dhe në ndërtimin e tij do të përdoret teknologjia e fundit që do të mundësojë në zvogëlimin e gazrave dhe ruajtjen e mjedisit.

Kosova llogaritet një nga vendet më rezervat më të mëdha të qymyrit linjit në botë të cilin e shfrytëzon për të prodhuar energji elektrike.

Deri në përfundimin e termocentralit të ri, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.