Gjykata Evropiane e Auditorëve, vlerëson se Kosova ka shkallë të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa ndihma evropiane është e pafrytshme
Gjykata Evropiane e Auditorëve, vlerëson se Kosova përballet me shkallë të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa ndihma e deritashme e Bashkimit Evropian nuk ishte mjaft e frytshme.
Në një raport të kësaj gjykate thuhet se ndonëse Bashkimi Evropian ka ndihmuar në ngritjen e mundësive, sidomos në fushën e doganave, ndihmesa për policinë dhe gjyqësorin ka pasur një sukses shumë modest.
Niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë ende mbetet i lartë. Gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrjet politike, joefikasiteti dhe mungesa e transparencës dhe zbatimit te ligjit.
Në raport thuhet se mundësitë e kufizuara të Kosovës për të mbrojtur dëshmitarët kryesorë dhe vështirësitë në zhvendosjen e dëshmitarëve jashtë vendit janë mangësi të rëndësishme.
Raporti gjen se nuk ka pasur pothuajse fare përparim në vendosjen e sundimit të ligjit në veriun e Kosovës.
Një nga hartuesit e raportit, Gijs de Vries citohet të ketë thënë se “autoritetet në Kosovë nuk i japin përparësi të mjaftueshme sundimit të ligjit, ndërsa mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë më e frytshme”.
Gjykata Evropiane e Auditorëve është organ i pavarur që mbikëqyrë financat e Bashkimit Evropian. Ajo ka theksuar se Kosova është pranuesi më i madh i ndihmës financiare të Bashkimit Evropian për kokë banori në botë dhe është strehë e misionit më të madh civil të këtij Bashkimi, por rezultatet janë ende të pakta.