Kryeministri Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm – LDK kundërshton

Your browser doesn’t support HTML5

Kryeministri Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm – LDK kundërshton

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se ka vendosur të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkon presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit.

Lexoni edhe këtë Kosovë - koronavirusi: presidenti kërkon “gjendje të jashtëzakonshme” – qeveria kundër

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti thuhet se mbrëmë ministri i Brendshëm, Agim Veliu, “për televizionin Klan Kosova, u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhap panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime”.

Në njoftim thuhet se “përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme”, ministri Veliu “ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është. Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se është i papranueshëm shkarkimi i ministrit Veliu dhe se kjo është shkelje e marrëveshjes së koalicionit.

“Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike. Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, shkroi zoti Mustafa.

Nga e premtja e kaluar në Kosovë janë regjistruar 19 raste të infektimit me këtë virus.

Të martën mbrëma, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare se ka nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe këtë do ta dërgojë për miratim në parlament.

Por, kryeministri Kurti e ka cilësuar si të skajshme dhe të panevojshme një gjë të tillë.

Të mërkurën presidenti Thaçi tha se zyra ligjore e tij dhe ajo e parlamentit janë duke u bashkërenduar “në mënyrë që të finalizohet procesi i dekretit të presidentit të Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha masave të domosdoshme institucionale për preventimin, parandalimin dhe tejkalimin e kësaj gjendjeje të cilën e kemi në Kosovë”.

Ai tha se dekreti i tij përfshinë “gjendjen e jashtëzakonshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës për një periudhë 30 ditore me mundësi të vazhdimit apo zvogëlimit varësisht prej situatës së krijuar”.

Kërkesa e presidentit u mbështet nga kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Kadri Veseli i cili kritikoi qeverinë të mërkurën për masa të pamjaftueshme për t’u përballur me situatën.

“A ka dikush iluzione se kjo situatë me përhapjen e virusit nuk përshkallëzohet nëse nuk marrim masa ekstreme si shtet? Është në dorën e deputetëve të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe nëse një jetë ja arrijmë ta shpëtojmë, ja vlen një vendim i tillë. Nuk është koha për protagonizëm politik prandaj PDK do të mbështesë idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin”, tha ai.