Haradinaj: Të martën parlamenti voton për kufirin me Malin e Zi

  • Leonat Shehu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se seanca për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, pritet të mbahet të martën e ardhshme ndërsa shfaqi bindjen se deputetët do ta përmbyllin këtë çështje.

Your browser doesn’t support HTML5

Haradinaj: Të martën parlamenti voton për kufirin me Malin e Zi

“Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i tillë. Por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës”, tha zoti Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj nuk dha hollësi nëse janë siguruar votat e nevojshme për të votuar marrëveshjen.

Partitë shqiptare në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë vazhdojnë të përkrahin votimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, por votat e tyre nuk janë të mjaftueshme, meqë nevojiten dy të tretat e 120 deputetëve.

Autoritetet janë vënë në përpjekje për të siguruar edhe vota nga disa deputetë tjerë të opozitës apo nëpërmjet ndonjë marrëveshjeje me Listën Serbe e cila deri më tani ka kundërshtuar çdo mundësi të votimit.

Kundër votimit është shprehur lëvizja Vetëvendosje, e cila që nga dje është ndarë zyrtarisht në Parlamentin e Kosovës. Një grup prej 12 deputetësh të kësaj lëvizjeje zyrtarizoi ndarjen duke themeluar Grupin e Pavarur të deputetëve, ndërsa lanë të hapur mundësinë për krijimin e një force të re politike. Një deputetë e kësaj lëvizjeje, Donika Kadaj Bujupi u rikthye në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke shtuar kësisoj numrin e deputetëve në koalicionin në pushtet.

Vëzhguesit pohojnë se kërkimi i votave të munguara mund të shtrihet në ish deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, megjithëse edhe grupi i ri ka ritheksuar kundërshtimin ndaj marrëveshjes.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.

E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, ajo është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Muajin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç u pajtuan për shqyrtimin e gabimeve të mundshme në marrëveshje, duke rihapur diskutimet për ratifikimin e mundshëm të saj nga parlamenti i Kosovës.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane, ndërsa është edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.