KFOR-i largon një barrikadë në veri

  • Leonat Shehu

Forcat e KFOR-it në veriun e Kosovës - foto arkivi

Forcat e NATO-s, larguan një barrikadë të vendosur në njërën nga rrugët kryesore në veriun e Kosovës nga serbët lokal
Forcat paqeruajtëse të NATO-s larguan sot një barrikadë në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Barrikada ishte ngritur nga banorët lokal për të penguar vendosjen e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare veriore me Serbinë.

Në një komunikatë për opinion, forcat paqeruajtëse thanë se “qëllimi i operacionit ishte të largojë pengesat në rrugë për të përmirësuar lirinë e lëvizjes jo vetëm për KFOR-in por edhe për organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”.

http://www.youtube.com/embed/CZc3et_OOtQ

Operacioni i forcave të NATO-s për largimin e barrikadës kaloi pa incidente, ndërsa përfaqësues të serbëve në veri thanë se operacioni i sotëm ishte “demonstrim i hapur i forcës”.

Forcat paqeruajtëse thanë se “misioni i tyre është mjedisi i qetë e i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjithë në Kosovë. KFOR-i është zotuar sot sërish se do të vazhdojë këtë mision në mënyrë të vendosur, kujdesshëm dhe në mënyrë të paanshme në pajtim të plotë me mandatin e tij”.

Serbët në veriun e Kosovës vazhdojnë të kundërshtojnë përpjekjet për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në zonë por edhe marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe fillimit të funksionalizimit të doganave në vendkalimet kufitare ndërmjet dy vendeve në veri.

Përfaqësuesit e tyre, i cilësuan marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian si përpjekje për t’i detyruar me dhunë serbët e veriut të Kosovës që të integrohen në institucionet e Prishtinës.

Parlamenti i Kosovës debaton për bisedimet më Serbinë

Çështja e këtyre bisedimeve ishte temë debatesh në Parlamentin e Kosovës. Ku kryeministri Hashim Thaçi, raportoi për takimin e fundit të tij me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Catherine Ashton.

Çështja që nxiti më shumë diskutime ishte ajo e krijimit të një fondi të veçantë për veriun e Kosovës. Krijimi i fondit sipas qeverisë së Kosovës është mundësi për ngritjen e transparencës edhe të parave që jepen nga Beogradi për atë zonë.

Por, deputetët e lëvizjes Vetëvendosje por edhe disa deputetë të partive jera thanë se ky fond është një hap drejt ndarjes tokësore të Kosovës.

Zyrtarët qeveritar thonë se fondi është i përkohshëm dhe se ai do të mbushet nga të hyrat doganore në vendkalimet kufitare veriore, që do të jenë pjesë e buxhetit të Kosovës. Fondi do të qeveriset nga një komision i përbashkët i qeverisë, serbëve lokal dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian dhe do të përdoret vetëm për projekte zhvillimore të komunave në veri të Kosovës.

Procesi i bisedimeve pritet të vazhdojë gjatë muajit të ardhshëm me takimin e ri ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç dhe këto bisedime shihen si një nga kushtet kryesore për afrimin e të dyja palëve me Bashkimin Evropian.

Në kuadër të përpjekjeve për të shtyrë papara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në fillim të muajit shkurt pritet edhe një takim ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç.