Hashim Thaçi në Podgoricë

Vizita e parë zyrtare e ministrit të jashtëm të Kosovës në Mal të Zi ka nxitur reagime të opozitës proserbe.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten në Podgoricë se me reformat kushtetuese, pakica malazeze në Kosovë do të ketë statusin e pakicës kombëtare, që nënkupton të drejtën e përfaqësimit në parlament dhe garanci për të drejta arsimore dhe kulturore.

Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Podgoricë, ku tha se të dyja vendet synojnë integrimet euroatlantike, ndërsa “hyrja e Malit të Zi në NATO është interes strategjik i rajonit dhe këtë ne e mbështesim plotësisht”.

Your browser doesn’t support HTML5

Thaci ne Mal te Zi

Bashkë me ministrin malazez të punëve të jashtme Igor Lukshiç, janë pajuar se sic thuhet, miqësia ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi “është me e vjetër se shtetet tona” dhe paraqet model për vendet tjera. Ministri Lukshiç tha se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për integrimet, duke nënvizuar se të dyja vendet kanë mundësi të mëdha për përparimin e marrëdhënieve ekonomike.

Të dy ministrat janë pajtuar që procesi i shënimit të kufirit ndëmrjet dy vendeve të përmbyllet gjatë vitit 2015.

Vizita e ministrit Thaçi po përcillet me masa të rrepta sigurie, për shkak të reagimeve që kishte nxitur tek opozita pro serbe e cila organizoi një protestë në mesditë bashkë me organizatat e serbëve të zhvendosur pas luftës në Kosovë.

Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008, duke nxitur reagimin e Beogradit i cili dëboi atëbotë ambasadorin malazez në shenjë proteste. Në janar të vitit 2010 të Kosova dhe Mali i Zi vendosën marrëdhënie diplomatike.

Mali i Zi ishte pjesë e shtetit të përbashkët me Serbinë deri në pranverën e vitit 2006 kur shpalli pavarësinë prej saj.