Tre të rinj nga Kosova të vrarë në Mynih

  • Leonat Shehu

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shpallur të dielën ditë zie në nderim të tre të rinjve shqiptarë nga Kosova, që kanë humbur jetën në sulmin e së premtes mbrëma në qendrën tregtare në Mynih të Gjermanisë. Në një njoftim të zyrës së presidentit të vendit thuhet se dita e zisë shpallet edhe “në solidarizim me popullin gjerman”.

Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmoi sot se tre të rinj shqiptarë nga Kosova, kanë humbur jetën në sulmin e së premtes mbrëma në qendrën tregtare në Munih, ndërsa janë shprehur siç thuhet, të tronditur nga sulmi terrorist dhe ngushëllon familjarët e të vrarëve.

Ngushëllime familjeve kanë shprehur edhe udhëheqës fetar e politikë të Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Ditë zie në Kosovë për tre viktimat në Mynih

Në një deklaratë të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava thuhet se "mbrëmë njerëzimi u përball edhe më një akt të rëndë terrorist, nga i cili pësuan qytetarë të pafajshëm. Sulmi në Munih është vazhdimësi e akteve terroriste që kanë për qëllim atakimin e vlerave hyjnore, humane e njerëzore, përmes dhunës, frikës e terrorit.

Kemi ndjesi e dhembshuri të veçantë me atakimin e Gjermanisë dhe popullit gjerman, ngase ne si popull e shtet tek Gjermania e gjermanët, në ditët tona më të vështira kemi gjetur mbështetjen, përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer, që për ne është e paçmuar".

Duke shprehur mbështetjen për autoritetet gjermane dhe ngushëllimet për familjarët e viktimave, myftiu Tërnava ngushëllon dhe ndan dhimbjen edhe me familjet e bashkatdhetarëve të Kosovës, për humbjen e më të dashurve të tyre nga sulmi i mbrëmshëm.

Për më tepër, thekson ai, "sulmi mbi Gjermaninë është atak mbi një vend e një popull që parandaloi krizën e refugjatëve, duke evituar njëkohësisht një katastrofë humanitare që trokiste në dyert tona.

Asnjë kompromis me terroristët, dhunuesit e barbarët. Uniteti veprues i botës së qytetëruar, të lirë e demokratike do e mposht edhe këtë të keqe me të cilën po përballemi", thuhet në reagimin e myftiut Tërnava.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet rrjetit social Facebook ka shprehur siç thuhet “indinjatën për krimin makabër që ua mori jetën 9 qytetarëve të pafajshëm në Mynih, në mesin e të cilëve edhe tre shqiptarëve nga Kosova. Në postimin e zotit Veseli thuhet se “sulmet e tilla të tmerrshme nuk do të mund të ndryshojnë vlerat tona të përbashkëta dhe mënyrën tonë të jetesës”.

Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar shtetin gjerman dhe familjet e viktimave. Në telegram thuhet se ”Qytetarët e Kosovës janë thellësisht të prekur dhe të pikëlluar nga ky akt barbar që la të vdekur shumë njerëz të pafajshëm".

Nëntë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën, në një qendër tregtare në Mynih, kur një sulmues i vetëm qëlloi me armë zjarri, ndërsa më pas vrau veten në afërsi të qendrës tregtare. Autori i sulmit ishte një 18-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, iraniane dhe gjermane.