Shtyhet vendimi për Forcat e Armatosura të Kosovës

Parlamenti i Kosovës shtyu për ditët në vazhdim votimin e ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura, që duhet të zëvendësojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shtyrja, u tha se u bë për shkak të nevojës për vazhdimin e këshillimeve për gjetjen e një rrugëdaljeje, meqë seanca u braktis nga deputetët serbë të cilët nuk pranojnë themelimin e Forcave tw Armatosura pa u përmbushur kërkesa e tyre për vazhdimin e vendeve të rezervuara edhe për dy mandate.

Your browser doesn’t support HTML5

Shtyhet votimi për FAK



Pakicat kombëtare në Kosovë, sipas ligjeve aktuale kanë 20 vende të garantuara në Parlament, ndërsa me vendet e rezervuara ata sigurojnë deputetë shtesë.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese është i pamundur pa dy të tretat e deputetëve nga radhët e pakicave kombëtare.

Lidhja Demokratike Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë kategorike janë duke kundërshtuar që pakicave t'u mundësohen vendet e rezervuara edhe për dy mandate. Çështja është diskutuar edhe në një takim në orët e mëngjesit ndërmjet partive politike me lehtësimin e ambasadës amerikane në Prishtinë, por pa ndonjë marrëveshje.

Partitë në pushtet e cilësojnë si mundësi historike themelimin e këtyre forcave duke përsëritur paralajmërimin që nëse votimi i saj nuk ndodhë në këtë përbërje të parlamentit, atëherë do të kalojnë vite të tëra deri në themelimin e Forcave të Armatosura.

Ato druajnë që pas zgjedhjeve të reja, në parlament do të zgjidhen përfaqësuesit e listës qytetare serbe, një forcë politike e mbështetur nga Beogradi, e cila fitoi pushtetin në 9 nga dhjetë komunat me shumicë serbe në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit të kaluar.

Takimi i hënës nuk siguroi ndonjë marrëveshje as për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, ndonëse tashmë ka një pajtim ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që ato të mbahen më 8 qershor, ndërsa një pjesë e partive politike thonë se vjeshta duhet të jetë stinë zgjedhjesh në Kosovë.