Me 64 vota të parlamentit 120 vendësh të Kosovës të hënën u miratua në lexim të parë projektligji për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë së Covid-19 e cila deri tash ka prekur 16 mijë e 179 persona.
Projektligji u mbështet nga partitë e koalicionit qeverisës ndërsa votimi u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.
Kjo ishte hera e shtatë që projektligji hodh për votim.
I miratuar nga qeveria e Kosovës me 22 korrik, projektligji parasheh një mbështetje për bizneset e vendit në vlerë prej 385 milionë eurosh dhe do të jetë në fuqi deri në dhjetor të vitit të ardhshëm, nëse kalon edhe në leximin e dytë..
Ndër çështjet më të diskutueshme të këtij projektligji është mundësia që qytetarët të tërheqin 10 për qind të mjeteve të tyre të grumbulluara në Fondin e kursimeve pensionale të Kosovës. Kjo nismë e qeverisë nuk është përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit një tërheqje e tillë do të zvogëlonte pensionet e ardhshme.
Qeveria thotë se projektligji do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të përfitojnë pas humbjeve që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen për pasojat në ekonominë edhe ashtu të rënduar të vendit, nga pandemia dhe vonesat në miratimin e këtij projektligji.
Qeveria e Kosovës në muajin që po e lëmë pas ndau rreth 87 milionë euro për bizneset private, në përpjekje për të lehtësuar përballjen e tyre me humbjet që kanë pësuar nga situata e krijuar me pandeminë e COVID-19.