Kosovë, skena dhune në parlament e jashtë tij

  • Leonat Shehu
Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe të veprimtarëve të opozitës që hodhën gurë e shishe me benzinë në Parlament e jashtë tij

Dhjetë persona të arrestuar dhe një polic i lënduar, është bilanci i përleshjeve që shpërthyen gjatë natës që lamë pas në Prishtinë. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe të veprimtarëve të opozitës që hodhën gurë e shishe me benzinë derisa po protestonin në mbështetje të deputetëve të partive opozitare, të cilët sërish bllokuan punën e parlamentit. Ata hodhën gaz lotsjellës në parlament në disa raste gjatë ditës së djeshme.

Rreth mesnatës kryesia e parlamentit vendosi të fusë sigurimin në sallën e seancave për të penguar veprimet e partive opozitare. Situata bëri që deputetët të shkëmbejnë edhe fjalë të ashpra me njëri tjetrin.

Your browser doesn’t support HTML5

Funksionimi jo i duhur i Parlamentit të Kosovës

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Pak pas orës një pasmesnate, deputetët e partive të koalicionit qeverisës u zhvendosën në një sallë tjetër të parlamentit për vazhduar seancën në të cilën brenda më pak se 45 minutave u miratuan disa ligje, përfshirë edhe atë për shëndetin mendor. Drejtuesit e partive opozitare e cilësuan të paligjshme seancën e mbajtur nga partitë në pushtet.

Të shtunën, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u shpreh thellësisht e shqetësuar për zhvillimet në parlament dhe jashtë tij. Ajo tha se "skenat dhe veprimet e dhunshme në parlament janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare". Ajo u bëri thirrje deputetëve të opozitës "të heqin dorë nga dhuna", duke nënvizuar se aspiratat e vendit po rrezikohen thellësisht nga këto ngjarje dhe këto veprime po e dëmtojnë demokracinë.

"Dialogu është gurthemel i demokracisë. Aty ku ka dialog, ka zgjidhje", thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga, e cila në fillim të javës filloi një seri takimesh me udhëheqësit e partive politike për të gjetur një rrugëdalje, ndërsa është shprehur e gatshme që të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e kundërshtuara nga opozita.

Qeveria tha se me mbajtjen e seancës, parlamenti tregoi se është në gjendje të funksionojë.

Partitë opozitare ndërkaq thonë se nuk do të heqin dorë nga veprimet e tyre deri në zhbërjen e marrëveshjeve që ata i cilësojnë të dëmshme për shtetin. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ngjarjet e fundit në parlament dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik.

Meqë nuk po shohim shenja të reflektimit as të përgjegjësisë politike, të dyshes (Isa) Mustafa- (Hashim) Thaçi, meqë deri sot janë penguar të gjitha nismat për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë është provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me “maskaradën” e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë”, tha zoti Haradinaj.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit e cila u miratua të shtunën nga qeveria dhe e cila pritet të nënshkruhet në Strasbourg më 27 tetor.