Protestë në mbështetje të Luginës së Preshevës

  • Leonat Shehu
Në Prishtinë, mijëra qytetarë morën pjesë në një protestë të lëvizjes Vetëvendosje për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës
Mijëra veta morën pjesë në protestën e lëvizjes Vetëvendosje, në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por edhe kundër bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të dielën e kaluar, forcat serbe hoqën nga qendra e Preshevës një pllakë përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, duke nxitur tensione në Luginën e Preshevës dhe reagime të rrepta në Kosovë dhe Shqipëri.

Protesta në mbështetje të Luginës së Preshevës


Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se reagimet ishin të pamjaftueshme. Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha se protesta ka disa kërkesa.

E para, respektimi i të drejtave civile dhe kolektive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc si dhe kthimi i lapidarit në vendin e mëparshëm. E dyta, ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovës me Serbinë”, tha zoti Kurti.

Ai kërkoi ri fuqizimin e rezolutës së Parlamentit të Kosovës për masa të ndërsjella me Serbinë si dhe hapa konkret për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e saj.

Ndërsa, Belgzim Kamberi, veprimtar humanitar nga Lugina e Preshevës bëri thirrje për angazhim të mirëfilltë të Tiranës e Prishtinës.

Lugina e Preshevës nuk kërkon mëshirë e as ndihmë nga Prishtina e Tirana, kërkon përgjegjësi. Kërkojmë nga qeveria e Shqipërisë që të respektojë Kushtetutën, kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të tregohet e përgjegjshme e jo vetëm të mos i ndihmojë por edhe t'i kritikojë qytetarët e Luginës së Preshevës”, tha zoti Kamberi, duke ju referuar deklarimeve.

http://www.youtube.com/embed/KYLSQ-R5i70

Vetëvendosje kritikoi ashpër qeverinë e Kosovës për siç u tha bisedime për veriun e Kosovës e jo për Luginën e Preshevës.

Kjo protestë, është protestë kundër koalicionit Thaci - Daçiç, kundër koalicionit PDK - SPS, (Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialiste e Serbisë) kundër kësaj qeverie e cila po e jep Mitrovicën e po e braktisë Preshevën”, tha zoti Kurti.

Largimi i pllakës përkujtimore në Preshevës u pasua me incidente në Kosovë gjatë të cilave u dëmtuan dhjetëra varreza serbe. Qeveria e Kosovës mori përsipër shpenzimet për riparimin e dëmtimeve që u dënuan gjerësisht nga institucionet vendase e ndërkombëtare dhe partitë politike, përfshirë lëvizjen Vetëvendosje e cila vlerëson se dëmtimet e tilla nuk paraqesin mbështetje për Luginën e Preshevës, por mbështetja duhet të bëhet në rrugë konkrete nga institucionet e Prishtinës dhe Tiranës.