Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, dënoi të mërkurën kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Gjatë disa ditëve të fundit në komunën e Zubin Potokut, një nga tri komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës janë shpërndarë trakte nëpërmjet të cilave janë kërcënuar pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë. Kërcënimi pasoi parakalimin e kësaj forcë në Prishtinë me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Traktet mbajnë emrin "Armata e Veriut", një grup për të cilin autoritetet thonë se nuk kanë njohuri, por kanë filluar hetimet. Në tekstin e kërcënimit thuhet se pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë "do t’ua thyejmë eshtrat”.
Ambasadori amerikan nëpërmjet një postimi në rrjetin social twitter bëri thirrje për hetimin e këtij rasti.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të jenë të sigurt derisa jetojnë jetën e tyre apo shkojnë në punë. Ne i dënojmë kërcënimet kundër pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Zubin Potok dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të hetojnë këtë rast. Ne mbështesim integrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës”, shkroi ai.
All of #Kosovo%27s citizens deserve the right to be safe while living their lives, going to work. We condemn threats against KSF members in Zubin Potok & call on authorities to fully investigate. We support the integration of Kosovo Serbs in all Kosovo institutions.
— Amb. Greg Delawie (@USAmbKosovo) February 21, 2018
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Forca e Sigurisë është forcë shumë-etnike me mbi 10 për qind të përbërjes së saj nga komunitetet jo shumicë.
Në pranverën e vitit të kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi nismën për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmjet një ligji duke nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Por këto ndryshime varen nga vota e deputetëve të pakicave kombëtare dhe tash për tash duken të pamundura për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës ndaj themelimit të ushtrisë së saj.