Qeveria e Kosovës miratoi të martën vendimin për t’u vënë taksa shtesë prodhimeve nga Serbia, si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare por edhe siç thuhet përzierjes së saj në punët e brendshme të Kosovës.
Sipas qeverisë taksa shtesë prej 10 për qind përfshinë mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia por edhe nga Bosnja e Hercegovina, e cila nën trysninë e entitetit serb, vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.
Kosova importon mallra nga Serbia me vlerë prej mbi 400 milionë eurosh.
Zyrtarë të qeverisë thanë se ajo po i përdorë paratë e fituara në Kosovë për të dëmtuar shtetësinë e saj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkroi në twitter se “nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse ajo vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës. Masat ekonomike janë vetëm hapi i parë. Nëse Bashkimi Evropian nuk shfrytëzon ndikimin për t’u dhënë fund veprimeve destruktive të Serbisë, ne jemi të detyruar të veprojmë vet”, shkroi ai.
There is no normalization with #Serbia if they continue their aggressive campaign against #Kosovo. Economic measures are only the first step. If @eu_eeas doesn’t use its influence to stop #Serbia’s destructive actions, we are forced to act on our own
— Enver Hoxhaj (@Enver_Hoxhaj) November 6, 2018
Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është kusht për integrimet evropiane, ndonëse kundërshton pavarësinë e saj që u shpall në shkurt të vitit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Diplomacia serbe pohon se është duke ulur numrin e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe është duke punuar që të pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, tha se po punohet shumë për te penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë, INTERPOL, në takimin e kësaj organizate që mbahet këtë muaj në Dubai.
Presidentët e të dyja vendeve, thuhet se mund të takohen në Bruksel gjatë ditëve në vazhdim në një raund të ri bisedimesh, në kërkim të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në dritën e ideve të muajve të fundit që përfshijnë edhe ndryshimin e mundshëm të kufijve.
BE-ja kërkon shpjegime nga Kosova
Bashkimi Evropian kërkoi nga Kosova sqarime urgjente mbi vendimin për taksat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja.
“Këto masa janë një shkelje e qartë e detyrimeve të Kosovës sipas CEFTA-s, (marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore). Bashkimi Evropian pret që Kosova, e cila aktualisht është kryesuese e CEFTA-s të përmbushë plotësisht detyrimet dhe të tërheqë masat e vendosura”, tha të mërkurën Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Marrëveshja CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Kosova është anëtare e kësaj marrëveshjeje që nga viti 2007.