Kosovë: Akuzë ndaj një serbi për përgatitjen e veprave terroriste

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet për veprën penale, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës" si dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se i pandehuri që identifikohet vetëm me nistoret S.A., më 12 korrik të vitit 2018, "nga posta e Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës i ka dërguar një pako të dëmtuarit, R.R., në të cilën pako gjendej një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” e kalibrit 7.65 mm, prodhim çekosllovak, pa numër serik, me një karikator, me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit tramadol, 5 pako me ampula të llojit trodon, 18 pako me tabletë bensedin dhe një pamfletë e formatit A4., me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobodilacke Vojske Kosova i Metohije”, (Komanda e lartë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dh Metohisë), përmbajtja e së cilës bënte thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serb si, M.R., B.P., S.P., M.N., M.P. dhe D.P., që të bartnin armë nga depot e ndryshme të Mitrovicës, me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdorej dhunë fizike ndaj qytetarëve serb, në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t'i fajësojnë shqiptarët".

Sipas prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i pandehuri "që nga viti 2017 në vazhdimësi, ka mashtruar shumë qytetarë, në atë mënyrë që përmes paraqitjes së fakteve të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka shfrytëzuar situatën e disa qytetarëve serb duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet, dhe se në emër të punësimit të tyre paraprakisht u ka marrë shuma të ndryshme parash. Të dëmtuarit R.R., në shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit S.R., në shumën prej 2000 euro, si dhe të dëmtuarit M.R., në shumën prej 5000 euro, si dhe shumë të tjerëve u kishte kërkuar para për punësimin e tyre".

Me këto veprime, thuhet në njoftim, ai ka kryer veprën penale “mashtrimi” e dënueshme me ligjet e Kosovës.

Ai, sipas prokurorisë, i kishte dërguar qytetarit Radomir Repanoviç në fshatin Osojan në Kosovën perëndimore një armë, të cilën pranuesi e kishte dorëzuar në polici.