Kosovë: Presidenti dhe Kryeministri thonë se nuk dinin për arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq

Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten gjashtë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi.

Operacioni është përcjellë me paqartësi dhe informacione të pakta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një deklarate se është informuar nga organet kompetente "pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë. Ne tani duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi".

Më tej ai thekson se "Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese, të cilat mbi gjithçka tjetër, i sigurojnë çdo individi që të shpreh pa frikë identitetin, besimin, kulturën, ideologjinë, mendimin dhe fjalën e lirë. Askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo edhe deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër"

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha nëpërmjet një komunikate se nuk kishte dijeni për operacionin.

"Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi", thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, arrestohen dhe ekstradohen 6 turq

Në orët e mbrëmjes, kryeministri Haradinaj tha se ka kërkuar raportim nga Drejtori i Agjencisë së Zbulimit, drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Drejtësisë, raportim për operacionin.

"Pse u revokuan lejeqëndrimet e tyre? Pse u bë ndalimi i tyre? Pse janë deportuar me urgjencë dhe në fshehtësi?”.

​Edhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se arrestimi i sotëm nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë.

"Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, thuhet në postim duke nënvizuar se arrestimi i shtetasve të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t’i përfaqësojë Kosova.

Zoti Veseli tha se Kosova nuk ka alternative tjetër veç rrugëtimit evropian dhe kjo, natyrisht, kërkon sundim të ligjit dhe llogaridhënie prej abuzuesve arbitrarë të tij.

Në orët e mbrëmjes nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” ku punonin të arrestuarit u hodhën në protestë duke kërkuar lirimin e tyre.