Kosovë: Qeveria në detyrë vlerëson deklaratën amerikane “se nuk ka plan të fshehtë për ripërcaktim kufijsh”

Qeveria në detyrë e Kosovës e vlerësoi shumë të rëndësishme deklaratën e diplomatëve amerikanë se nuk ekziston një plan i fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të enjten mbrëma Shtetet e Bashkuara theksuan se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.

Lexoni edhe këtë SHBA: Nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh Kosovë – Serbi

Këto komente u bënë në një deklaratë të përbashkët të ambasadorit Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovës – Serbi, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Të premten qeveria në detyrë nëpërmjet një komunikate vlerësoi deklaratën “si rikonfirmim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë pranë popullit të Kosovës, dhe se ato mbështesin angazhimin e institucioneve tona shëndetësore për tejkalimin e situatës me COVID-19. Në të njëjtën kohë, thirrjet e tyre për t’u respektuar Kushtetuta, çmohen po aq lart”.

Në komunikatë theksohet se qeveria ka bërë një hap të rëndësishëm mbi çështjen e tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja duke liruar nga tarifa 100 për qind prodhimet e lëndës së parë të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Për qeverinë në detyrë, “është tejet i rëndësishëm fakti se në Deklaratën e Përbashkët thuhet se nuk ekziston një plan i fshehtë për ripërcaktim kufijsh dhe se i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë. Kjo paraqet një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë. Por, për ne thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit, razgraničenje, etj.) vazhdojnë të jenë kërcënim, dhe që nga gushti i vitit 2018, ato janë përsëritur nga dy presidentët të cilët kanë vendosur lidhje të shkurtër me njëri-tjetrin pa ndërmjetësim ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Lexoni edhe këtë Thaçi e Vuçiç kërkojnë mbështetje për marrëveshje që mund të lëvizë edhe kufijtë

Aty thuhet se bisedimet mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqen nga qeveria, përkatësisht kryeministri i Kosovës, sipas parimeve kushtetuese të Kosovës.

Dialogu duhet të rifillojë i përgatitur mirë, të ketë qëllim njohjen e ndërsjellë si dy shtete sovrane dhe me integritet territorial, për marrëveshje të qëndrueshme si garant për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe paqe e siguri në rajon”, thuhet në komunikatë.

Deklarata e diplomatëve amerikanë u bë një ditë pasi që parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike.

Përgjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme”, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbim territoresh.

Lexoni edhe këtë Bie qeveria e Kosovës

Në deklaratën e së enjtes, diplomatët amerikanë tha se duan ta bëjnë të qartë “se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë” thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t'i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e pjesës më të madhe të partive politike e mirëpritën deklaratën e diplomatëve të lartë amerikanë.